Vlorë, kreu i ri i bashkisë, Dritan Leli bën betimin

31/07/2015 00:00

U zhvillua në ambjentet e teatrit “Petro Marko” ceremonia zyrtare e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë së këtij qyteti, Dritan Leli.

Të pranishëm në këtë event kanë qenë ministri i Pushtetit Vendor Bledi Çuçi, nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj, si dhe deputetët Koço Kokëdhima, Fatmir Toçi, Mira Shehu dhe Shkëlqim Selami. Ndërkohë, nuk mungoi ish-kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, i cili ndoqi nga lozha e teatrit ceremoninë e konstituimit.

Gjithësej do të jenë 40 këshilltarë, 29 nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe 11 nga Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet.

Pas procesit të zgjedhjes së kryetarëve të këshillit, këshilltarët e rinj të bashkisë bënë betimin tradicional. Kryetare u zgjodh Vojsava Shkurtaj, ndërsa nënkryetare Denada Meçorapaj.

Pas betimit, kreu i ri i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli falenderoi qytetarët për besimin që i dhanë, ndërsa premtoi se çdo ditë të mandatit të tij do t’i shërbejë qytetarëve, “të cilët në çdo kohë do ta gjejnë të hapur derën e bashkisë”.

Top Channel