Pezullohet rruga Tiranë-Elbasan, Qeveria: Mund të ndërpresim kontratën

31/07/2015 00:00

Rruga nga Bërzhita në Ibë, ku pak muaj më parë pati rrëshqitje masive të dheut, është pjesë e projektit Tiranë-Elbasan. E vetmja gjë, që provon se këtu është planifikuar ndërtimi i rrugës, janë disa mjete të braktisura prej kohësh nga punonjësit.

Por, kjo nuk është e vetmja pjesë e rrugës, ku kompania “Copri-Aktor”, që fitoi tenderin për ndërtimin e një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend nuk punon. Edhe në zonën e Mulletit, ku punohej me ritme të ngadalta, çdo gjë duket se është bllokuar.

Në dyert e zyrave të braktisura të kompanisë gjejmë disa prej nënkontraktorëve të kompanisë, të cilët thonë se prej kohësh nuk kanë marrë pagesat nga shoqëria, e cila nga ana e saj u thotë se nuk është paguar nga shteti.

“U bë më shumë se një vit, që nuk marr pagën e punës. Këto thonë se nuk na ua ka dhënë shteti lekët. Unë s’kam gjë as me shtetin, as me firmën, jam thjesht punonjës dhe bëj punën time. Vjen fundi i muajit e paguaj faturën”, thotë një prej punonjësve.

“S’kemi marrë lekët, situacionet etj. Me një gjë të tillë, duke qenë se unë sigurimet i paguaj, shoferin e paguaj dhe me kredi jemi, kemi shkuar aty ku s’mbajmë më”, tha një tjetër punonjës.

Një tjetër çështje e mbetur pezull duket se është fati i familjeve, që kanë shtëpitë në afërsi të rrugës ku ndodhën rrështitjet e dheut, çeshtje e cila është kthyer në një tjetër argument përplasjeje mes shoqërisë dhe qeverisë.

“Nuk na kanë dhënë asnjë lloj rrugëzgjidhjeje”, tha një banor i zonës.

I pyetur mbi projektin, ministri Haxhinasto thotë se, ai mbart simptomat e projekteve të zhvilluara në përgjithësi në Shqipëri, me studime dhe zgjidhje teknike difektoze. Në këto kushte, qeveria nuk përjashton dhe ndërprerjen e kontratës me kompaninë.

“Nuk përjashtojmë edhe përfundimin e kontratës me kontaktorin aktual dhe realizimin e përfundimit të punimeve ndoshta me një kompani tjetër. Nuk e them për të intimiduar ndonjë kontraktor apo dikë tjetër. Në Shqipëri ka përfunduar koha, kur kompanitë mund të vijnë dhe të bëjnë gallatë me paratë e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, tha ministri Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.

Përplasja mes shoqërisë dhe kompanisë ka nisur muaj më parë, kur për shkak të disa situatave të krijuara, kompanisë nuk i janë njohur situacionet e punimeve. Ajo që i dha një tjetër shtysë konfliktit është se, kujt do t’i njihen shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga shembjet e mëdha para disa muajve, që sollën bllokimin e rrugës.

Vetë kompania sqaron se pengesat që ka hasur për përfundimin e punimeve në segmentin e parë të rrugës kanë të bëjnë me fenomene natyrore. Për këtë, në bashkëpunim me njësinë e menaxhimit të projektit dhe supervizorin janë ftuar ekspertë të huaj, që kanë monitoruar zonën e rrëshqitjeve, kanë hartuar raportet dhe janë paraqitur në njësinë e mbikëqyrjes, opsione të ndryshme zgjidhjesh, për të cilat do të vendosë ARRSH.

Kompania thotë se është në Shqipëri për vazhdimin e projektit deri në përfundimin e tij, ndërsa çdo veprim i njëanshëm do të ketë jo vetëm kosto më të lartë por do të rrezikojë edhe vonesa në përfundimin e veprës.

Top Channel