Europa League; sa shumë rrezikon Kukësi, veç humbjes në tavolinë

31/07/2015 00:00

Hedhja e një sendi të fortë në fushë, që plagosi futbollistin e Legia Varshavës dhe më pas ndërpreu ndeshjen, do t’i kushtojë shumë klubit të Kukësit.

Sipas rregulloreve të UEFA-s, fati i ndeshjes në “Qemal Stafa” tashmë duket i vulosur: fitore 3-0 në tavolinë për skuadrën polake, pasi Kukësi – si klub pritës – mban përgjegjësi për gjithçka ndodh gjatë ndeshjes; edhe për atë gur, që nuk dihet se nga kush u hodh, por që plagosi lojtarin Duda.

Përveç humbjes në tavolinë dhe një gjobe të majme, Komisioni Disiplinor i UEFA-s mund të vendosë edhe përjashtimin e skuadrës nga Europa League për këtë sezon, e ndoshta, edhe pse ka pak gjasa të ndodhë, mund ta përjashtojë nënkampionen e Shqipërisë nga 1 deri në 3 vite nga kompeticionet europiane.

Gjithsesi vendimet e Komisionit të Disiplinës në UEFA do të varen nga relacioni i zyrtarëve të UEFA-s, në lidhje me atë që kanë parë gjatë ndeshjes.

Ndërkohë, në mënyrë krejt të çuditshme ka reaguar Policia e Tiranës, e cila nëpërmjet një deklarate për shtyp ka bërë të ditur se para, gjatë dhe pas ndeshjes Kukësi-Legia Varshavë, nuk është shënuar asnjë incident.

Duke qenë se, vetëm Policia e Tiranës nuk e ka parë incidentin që ndodhi në “Qemal Stafa”, në komunikatën për shtyp të saj nuk thuhet asgjë, nëse ka të ndaluar apo nëse kanë nisur hetimet për identifikimin e personit, që hodhi sendin e fortë në fushë.

Top Channel