“Kalimera poetike” në Ulqin

31/07/2015 00:00

Në edicionin e 23 të manifestimit tradicional-kulturor “Kalimera poetike” në Ulqin, organizuar nga Art Klub, datë 29 korrik në  Muzeun e Kalasë së lashtë ilire të qytetit  u promovua romani i fundit i shkrimtares Mira Meksi, “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”.

Në praninë e dhjetëra njerëzve të kulturës, intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga Kroacia dhe rajoni, si edhe të përfaqsuesve të pushtetit vendor, studiuesja e njohur Dr. Sazana Capriqi  tha se romani i Mira Meksit, është një roman historiko-epik, është i pëshkuar nga një erudicion i gjerë, i mbushur me detaje e njohuri për mënyren e jetesës së asaj kohe, zakonet, filozofinë, religjionin dhe politikën. 

Romani sjell një fjalor të pasur terminologjie termash gjeografikë, detarë, si edhe një leksik të begatë gjuhësor, rezultat i një pune të jashtëzakonshme nga autorja,  që e kap vëmendjen e lexuesit dhe i krijon ndjesinë se ka bërë një udhëtim prapa në kohë,  në periudhën e artë të historisë ilire duke e kthyer në një dëshmitar të heshtur të ngjarjeve dhe të jetës në antikitetin ilir.

Shkrimtarja Mira Meksi, në fjalën e saj tha se në roman e ka krijuar Teutën e Ilirisë si pjesë të ndërgjegjies historike  shqiptare, si simbol dhe shenjë të identitetit kombëtar shqiptar, si Qenien e Madhe Historike, e cila si një gjysmëperëndi ka luftuar për pavdekësinë e popullit të vet.

Top Channel