Kosovë, sfidat e dixhitalizimit të transmetimeve tokësore

31/07/2015 00:00

Qytetarët e Kosovës do të gjenden shumë shpejt para dy mundësish zgjedhjeje, të ndjekin programet televizive që ofron një sistem kabllor i transmetimit, apo ato që ofron një sistem tokësor dixhital.

Kjo pasi, ligji për dixhitalizimin e transmetimeve difuzive tokësore, i cili u votua të enjten nga Kuvendi i Kosovës, mundëson që të ofrohen platforma me më shumë programe televizive përmes rrugëve tokësore.

Kryesuesi i grupit të punës për këtë ligj, Raif Çela sqaroi se, në formë tenderi do të jepen 3 multipleksa – apo pajisje që mundësojnë transmetimin dixhital tokësor – në territorin e Kosovës. Fituesit do të vendosin edhe për kanalet, që do të jenë pjesë e këtyre multipleksave.

“Qytetarit do t’i ofrohet një mundësi më e madhe zgjedhjeje përmes transmetimit radiodifuziv. Kjo nënkupton që, përmes një antene ose aparati dixhital, të mund t’i shohë të gjitha prgoramet që shfaqen përmes transmetimit tokësor, edhe pa pasur nevojë të shohë mediumet e tjera, siç janë kabllorët”, tha Raif Çela, deputet dhe kryetar i grupit të punës.

Ky ligj do të ashpërsojë garën mes transmetuesve dixhitalë tokësorë dhe atyre kabllorë, ku aktualisht janë lidhur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, kryesisht përmes televizioni dixhital “IPKO” me kanalet e “Digitalb” dhe të platformës tjetër “Kujtesa”, të cilët në këtë rast, ose duhet të bëhen pjesë e ndonjërës prej platformave tokësore, ose duhet të aplikojnë vetë për tenderin e multipleksit.

“Në çdo rast, ne do të shikojmë interesin e qytetarit. Edhe pse këta dy multipleksa janë komercialë, ne do të kemi edhe procedura të tjera të dixhitalizimit, ku do t’i kemi parasysh edhe transmetuesit aktualë privatë në Kosovë, por të mos harrojmë se, janë disa platforma që janë të pashmangshme, siç është platforma Digitalb, e cila domosdoshmërisht duhet të parashikohet në multipleksa. Tani kjo është çështje komerciale dhe është mes operatorit dhe kompanisë Digitalb, ku hyn edhe Top Channel, platforme me të cilën qytetarët e Kosovës janë familjarizuar”, tha Adnan Merovci, kryetari i Komisionit të pavarur për Media.

Por edhe kjo çështje ka koston e saj. Secila familje duhet të paguajë për pajisjen apo marrësin dixhital, në mënyrë që të mund t’i shohin kanalet në rrugët tokësore. Po kështu, numri i programeve që pritet të shfaqë një multipleks është 18, e më i vogël nëse ato transmetojnë në cilësi të lartë HD.

“Pozitivja e kësaj është rritja e cilësisë së transmetimit. Megjithatë është një proces, i cili do t’i kushtojë shumë jo vetëm industrisë së mediave, të cilat duhet të ripërtërijnë pajisjet për të transmetuar nga sistemi analog në dixhital, por edhe qytetarëve dhe të Kosovës. Çdo familjeje do t’u duhet ose të ketë një televizor të ri, që e ka të integruar sistemin, ose të blejë aparatin që pranon valët dixhitale”, tha Shqipe Pantina, deputete e Vetëvendosjes.

Ligji u miratua në Kuvendin e Kosovës në seancën e së enjtes. Pas dekretimit nga Presidentja e Kosovës, Komisioni i pavarur për Media ka një afat prej 6 muajsh, në mënyrë që t’i hartojë edhe aktet e tjera nënligjore, të cilat saktësojnë zbatimin e procesit, në veçanti tenderimin.

Top Channel