Raikkonen: Në Hungari treguam potencialin e vërtetë të Ferrarit

31/07/2015 00:00

Pas garës së mrekullueshme të zhvilluar nga Ferrari në Hungari, ku Vettel triumfoi ndërsa vendi i dytë i Raikkonenit u sfumua vetëm për shkak të një defekti në sistemin KERS, që e detyroi atë të tërhiqej nga gara, finlandezi duket se peshën kryesore për rendimentin e shkëlqyer të “kokëkuqeve” në Hungaroring ia ka faturuar “të qenit përpara Mercedesëve që në kthesat e para të garës”.

“Patëm një shpejtësi të lartë dhe të qëndrueshme, – thotë Kimi Raikkonen për “ESPN F1”, – dhe jemi shkëputur nga Mercedesët, edhe pse jo me lehtësi, por ishim në mënyrë të vazhdueshme më të shpejtë se ata. Nuk e di çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishim mbetur pas tyre, ndoshta nuk do të kishim mundur të shfrytëzonim shpejtësinë e makinave tona, sepse është e vështirë të rikuperosh vendet nga prapavija. Por, ka pasur shumë raste gjatë këtij sezoni, kur ne e kemi ndierë se kemi pasur mundësi për të qenë më të shpejtë nga sa ka ndodhur, vetëm se jemi bllokuar pas ndonjë makine më të ngadaltë dhe nuk kemi pasur mundësi ta parakalojmë atë”.

Ndaj dhe si konkluzion del se, diferencën e bën pikërisht nisja në garë, duke pasur parasysh vështirësitë e të parakaluarit me të cilat përballen njëvendëshet aktuale në Formula 1.

“Avantazhi që na siguroi ajo nisje aq e mirë, na bëri që të kishim më tej një diferencë të madhe me të tjerët. Ishte një gjë e bukur të shihje atë nisje perfekte me të dyja makinat, sepse kjo gjë nuk ka rezultuar si një pikë e fortë e jona gjatë këtij viti”, thotë Raikkonen, i cili në fund lavdëron punën e ekipit. “Kjo tregon se jemi duke bërë gjërat e duhura në mënyrën e duhur dhe se makinat tona nuk janë edhe aq keq. Në Hungari e treguam potencialin tonë”.

Top Channel