Hetimet për Litvinenkon në Britani, avokati: Putin është urdhëruesi

31/07/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, është një diktator i cili vetë ai personalisht ka urdhëruar helmimin për vdekje të ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, në Londër. Kjo është deklarata e avokatit të të vesë së të ndjerit, gjatë seancës dëgjimore të së premtes.

Kritiku i ashpër i Kremlinit, 43-vjeçari Litvinenko humbi jetën 3 javë pasi kishte pirë çaj jeshil të helmuar me izotopin radioaktiv “polonium 210”, në hotelin Millennium të Londrës, vetëm pak pasi kishte siguruar të merrte nënshtetësinë britanike.

Autoritetet britanike thanë se ka prova të mjaftueshme, për të akuzuar dhe gjykuar të dyshuarit Andrei Lugovoy dhe Dmitry Kovtun për vrasje. Nga krevati i tij, ku edhe ndërroi jetë, Litvinenko kishte akuzuar Putinin si urdhërues të vrasjes së tij.

Të dy rusët e dyshuar i mohojnë akuzat, ndërsa Kremlini ka refuzuar të jetë i përfshirë në këtë ngjarje, duke hedhur poshtë edhe vlefshmërinë e hetimeve britanike ndaj vdekjes së Litvinenkos, gjë që shkaktoi edhe përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-britanike në nivelet më të ulëta që prej Luftës së Ftohtë.

Në ditën e fundit të hetimit, që ka nisur prej muajit janar, Ben Emmerson, avokat i të vesë së Litvinenkos, Marina, listoi disa arsye të cilat, sipas tij, vënë në dukje përgjegjësinë e Rusisë në vdekjen e ish-agjentit.

Poloniumi është një izotop radioaktiv tepër i rrallë, për të mos thënë që gjendet ekskluzivisht në Rusi, pas të cilit fshihet një histori e gjatë e vrasjeve politike, bëri të ditur avokati.

Lugovoy ka pasur kontakte me figura të korruptuara të Kremlinit – shtoi më tej ai, – dhe nisi karrierën politike si një deputet i Dumës ruse menjëherë pas vrasjes. Ai dhe Kovtun nuk kanë pasur ndonjë motiv personal për ta vrarë klientin e tij.

Emmerson tha se Litvinenko, i cili në atë kohë po punonte për shërbimet britanike të sigurisë – siç u deklarua në hetim, – ofroi raporte të kujdesshme për kompanitë perëndimore, të cilat e lidhnin Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij me bandat kriminale. Kjo çoi në anulimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri atëherë. Litvinenko, në atë kohë, disa prej këtyre raporteve ia kishte dërguar edhe Lugovoit, të cilin e besonte duke e ditur se ishte biznesmen.

“Nëse shteti rus rezulton përgjegjës, atëherë Putin është përgjegjësi kryesor”, tha Emmerson. “Ai personalisht ka urdhëruar ekzekutimin e një armiku, i cili kishte vendosur ta ekspozonte atë dhe të gjithë miqtë e afërt të tij”.

Top Channel