Artisti disident kinez pajiset me vizë 6-mujore

31/07/2015 00:00

Sekretarja e Punëve të Brendshme në Britaninë e Madhe, Theresa May, ka ndërhyrë personalisht për të kthyer mbrapsht një vendim të zyrtarëve të dikasterit të saj dhe për t’i dhënë artistit disident kinez, njëkohësisht avokat të fjalës së lirë, Ai Weiwei, një vizë gjashtëmujore pa kufizime për t’u futur në Britani.

Lajmi është bërë i ditur këtë të premte nga departamenti i saj, vetëm një ditë pasi artistit kinez, pasaporta e të cilit iu rikthye atij nga autoritetet kineze pas 4 vitesh konfiskim, tha se Britania i kishte ofruar një vizë qëndrimi afatshkurtër në vend që t’i ofronte një vizë të plotë qëndrimi për rreth 6 muaj.

Ai deklaroi se kjo masë kishte ardhur për shkak se zyrtarët e emigracionit në Britani i kishin thënë se nuk kishte bërë të ditur një “dënim penal” të marrë prej tij. Artisti Ai, i cili ka qenë i burgosur për 81 ditë dhe me pasaportë të konfiskuar prej 4 vitesh, nuk është akuzuar apo dënuar kurrë për ndonjë krim të kryer.

“Sekretarja e Brendshme nuk është konsultuar mbi vendimin për t’i dhënë zotit Ai një viza njëmujore. Ajo kishte rishikuar rastin dhe tashmë ka udhëzuar zyrtarët e dikasterit të saj të lëshojnë një viza të plotë 6-mujore”, tha zëdhënësja e “Home Office”, apo Ministrisë së Brendshme britanike. “Ne i kemi shkruar artistit në fjalë dhe i kemi kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar”.

Ai mbërriti në Gjermani gjatë së enjtes për të parë të birin, por pritet të udhëtojë për në Britani për një ekspozitë të rëndësishme të punës së tij, që do të mbahet në shtator në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër.

Top Channel