Pas marrëveshjes së Vjenës, Irani: Koha për t’u çarmatosur shtetet bërthamore

31/07/2015 00:00

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka bërë thirrje ndaj Izraelit kryesisht, por edhe 8 shteteve të tjera të botës që zotërojnë armë bërthamore, të çarmatosen në shenjë reciproke ndaj pranimit të vendit të tij për të kufizuar rreptësisht programin bërthamor, bazuar mbi marrëveshjen e nënshkruar në fillim të këtij muaji në Vjenë.

Në kërkesën e tij të publikuar në britaniken “the Guardian”, Zarif argumenton se pranimi i marrëveshjes së Vjenës, të titulluar “Plani i përbashkët e gjithëpërfshirës i veprimit”, Irani ka respektuar frymën e traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore (NPT), sipas të cilit shtetet pa armë bërthamore premtojnë se nuk do t’i kërkojnë asnjëherë ato. Por, ai shtoi se vendet, që i zotërojnë aktualisht këto armë, nuk janë duke mbajtur një qasje të përshtatshme duke u çarmatosur.

“Asimetria e ngjashme me kohën e Luftës së Ftohtë, mes shteteve që i zotërojnë armët bërthamore dhe atyre që nuk kanë të tilla, nuk mund të tolerohet më”, shkruan diplomati iranian, duke pretenduar se Irani e ka bërë tashmë detyrën e saj për mospërhapjen e tyre. “Ndërkohë, shtetet që aktualisht i zotërojnë këto lloj armësh shkatërrimtare e kanë tepër të vështirë edhe të flasin për këtë çështje, duke mos iu përmbajtur aspak detyrimeve të tyre për çarmatosje sipas NPT-së apo ligjeve ndërkombëtare në fuqi”.

Izraeli nuk e ka konfirmuar asnjëherë zyrtarisht arsenalin e tij bërthamor, por besohet të ketë rreth 80 mbushje bërthamore. Deklarata e Zarif u drejtohet gjithashtu edhe 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara – SHBA, Rusi, Francë, Britani dhe Kinë – të gjithë zotërues të armëve të shkatërrimit në masë, por edhe 3 shteteve të tjera bërthamore, të cilat ashtu si Izraeli, nuk janë nënshkruese të traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamore (NPT), si India, Pakistani dhe Korea e Veriut.

Top Channel