Prezantohen 24 administratorët, Veliaj: Në detyrë sipas performancës

31/07/2015 00:00

Fjalimi prezantimit të 24 administratorëve të Bashkisë së Tiranës shërbeu për Erion Veliajn edhe si një paralajmërim për të gjithë ata se qëndrimi i tyre në këtë pozicion do të varet nga performanca e tyre në detyrë.

“Siç e dini nga ligji, ju emëroheni administratorë, pra nuk jeni të zgjedhur. Në këtë sens kjo nuk është një kontratë palimit. Është një kontratë në bazë të performancës dhe si çdo pozicion i emëruar, pritet që ai që emërohet të performojë si kusht për të vazhduar këtë bashkëpunim dhe si kusht për të vazhduar këtë kontratë që në lidhim sot”, tha Veliaj.

Puna e administratorëve do të vlerësohet nga qytetarët.

“Në shumë marrëdhënie të ngjashme, në shumë kontrata që lidhen është vlerësimi i atij që është klienti, atij që merr shërbimet, ai që dikton nëse vazhdohet një kontratë me atë që ofrohet në shërbim. Të mos kemi asnjë iluzion dhe në këtë fazë duhet të dallojmë shumë qartë njohjet personale me detyrën që po marrim përsipër sot. Ne do të anketojmë rregullisht komunitetin që ju shërbeni dhe në varësi të vlerësimit që do të japë komuniteti për shërbimin që ju ofroni, do të jetë edhe mënyra sesi ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe kontratën që ne lidhim sot”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë më të madhe në vend kërkoi nga 24 administratorët që të njihen nga afër me problemet e qytetarëve.

“Duhet të prekni problemet në terren, të shihni shërbimin e transportit, nëse pastrohen plehrat, nëse qytetarët furnizohen me ujë”, u shpreh ai.

Emërimi i administratorëve brenda 24 orëve nga marrja zyrtarisht e detyrës u krye, tha Veliaj, me qëllim që qytetarëve të mos u mohohen shërbimet bazë të njësisë.

Ja 24 administratorët e Tiranës:

Njësia 1 – Trendelina Jaku
Njësia 2 – Elez Gjoza
Njësia 3 – Ergesta Ninka
Njësia 4 – Lirika Kasa
Njësia 5 – Violeta Kika
Njësia 6 – Adriatik Merko
Njësia 7 – Gjinovefa Kadria
Njësia 8 – Erjon Xhafa
Njësia 9 – Adelina Albrahimi
Njësia 10 – Arian Hamiti
Njësia 11 – Gentian Arapi
Petrelë – Sokol Kupi
Farkë – Admir Abrija
Dajt – Kujtim Qefalia
Zall-Bastar – Genc Sita
Bërzhitë – Refik Velia
Krrabë – Alfred Brahja
Baldushk – Ilir Bermeta
Shëngjergj – Shpëtim Sina
Vaqarr – Gentian Myrtaj
Kashar – Erin Çatri
Pezë – Besmir Kola
Ndroq – Xhavit Çeka
Zall-Herr – Arben Maloku 

Top Channel