Ministrja e Kulturës Kumbaro, në Milano

31/07/2015 00:00

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka marrë pjesë këtë të premte në Konferencën e ministrave të Kulturës së vendeve anëtare në ekspozitën universale “EXPO Milano 2015”.

Ftesa për të, në konferencën që zhvillohet në dy ditë, erdhi nga ministri italian i Kulturës, Trashëgimisë dhe Turizmit, Dario Franceschini. Sot ishte i pranishëm edhe kryeministri Matteo Renzi.

Tema kryesore e debatit është kultura, si mjet dialogu mes popujve. Sipas Ministrisë së Kulturës, konferenca është një mundësi e çmuar për të ndarë ide dhe propozime në dy çështje kryesore: mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në zonat në rrezik dhe rimëkëmbja nga fatkeqësitë natyrore.

Duke folur për rolin e kulturës, si një instrument që ka forcën të ndikojë sistemet e pushteteve, ministrja Kumbaro, në fjalën e saj vlerësoi rolin e kulturës si mjet dialogu në Shqipëri, duke shtuar se “Shqipëria është një vend i pasur me histori e pasuri kulturore, por që po mëson çdo ditë leksionet e emancipimit demokratik”.

Ajo zhvilloi takime me homologët e saj të Kulturës, ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irini Bokova përgëzoi Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, të drejtuar nga Kumbaro, për arritjet e deritanishme në dy qytetet, Berat dhe Gjirokastër, si dhe konfirmoi angazhimin në ekspertizë të UNESCO-s për hartimin e zgjidhjes më të mirë të infrastrukturës pedonale të Gjirokastrës.

Top Channel