TAP, një arsye më shumë për thellimin e basenit të Portit të Durrësit

31/07/2015 00:00

Nevoja për përpunimin e anijeve të tonazhit të rëndë në Portin e Durrësit shfaqet si emergjente, në kuadër të projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik. Por, për këtë duhet realizuar thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të portit, një projekt i ndërprerë 10 vite më parë nga kompania daneze “Rohde Nielsen”.

Këshilli teknik i Autoritetit Portual Durrës ka vendosur të përshpejtojë procedurën për realizimin e këtij projekti, që i hap rrugë një zhvillimi të ri ekonomik në vend. Studimi i kryer kërkon një financim përtej planifikimeve të Autoritetit Portual, por nevojat e afërta të portit kërkojnë një zgjidhje të ndërmjetme, që të mundësojë dhe realizimin e pritshmërive për transportin dhe përpunimin e tubacioneve dhe materialeve të projektit të gazsjellësit TAP në vendin tonë.

Zyra e shtypit e Autoritetit Portual bën të ditur se, me një financim prej rreth 4 milionë eurosh, projekti parashikon shpërndarjen e 850 mijë metër kub inerteve gjatë thellimit, që do të mundësojë hyrjen në port të anijeve me mallra deri në 30 mijë tonë. Për realizimin e projektit të thellimit janë parashikuar 6 milionë lekë dhe, së shpejti, do të publikohen dokumentat e tenderit.

Në vitin 2004, kompania daneze “Rohde Nielsen” fitoi një kontratë për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës të Portit të Durrësit, projekt i financuar nga Banka Europiane e Investimeve. Përplasjet mes zbatuesit danez dhe Ministrisë shqiptare të Transportit, gjatë punimeve për thellimin e basenit portual, çuan në ndërprerjen e projektit dhe përballjen e palëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi që Qeveria shqiptare të paguajë kompaninë daneze në vlerën e 2,2 milionë eurove.

Top Channel