Haxhinasto inspekton impiantin e pastrimit të ujërave në Vlorë

01/08/2015 00:00

Impianti i pastrimit të ujërave në Vlorë, një investim prej 3.5 milionë euro në fazën e tij të parë, është degraduar tërësisht.

Kjo është konstatuar edhe nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, gjatë inspektimit të bërë këtë të shtunë në Vlorë, shoqëruar edhe nga kreu i bashkisë, Dritan Leli.

Ai pranoi se ky impiant dhe projekti i tij për fazën e dytë duhet riparë, ndërsa e cilësoi si të vjetruar teknologjinë e vaskave e pjesëve të tjera përbërëse të kësaj vepre depurimi.

Sipas ministrit.,ky projekt do riparë me qëllim që faza e dytë e investimitt të parashikuar të shoqërohet me detaje që do të vënë në eficencë këtë impiant të rëndësishëm, kryesisht për zonën bregdetare.

Ministri tha se kreu i bashkisë duhet ta shohë me prioritet këtë çështje dhe të marrë masa për manaxhimin e tij nga specialistë.

Edhe kreu i bashkisë, Dritan Leli, tha se vëmendja e qeverisë nuk do të mungojë. Ai theksoi se projekti dhe zbatimi i tij me në fokus rehabilitimin do të jetë prioritar.

Më herët, po në qytet, ministri inspektoi edhe punimet që po kryhen për shtrimin e rrjetit të kanalizimeve.

Top Channel