Plani i ri zhvillimor i Tiranës, Veliaj shfuqizon planin e vjetër

01/08/2015 00:00

Hartimi i një plani të ri zhvillimor që i përgjigjet territorit aktual të Tiranës, ka qenë në qendër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.

“Ne parashikojmë që brenda një viti, Tirana të ketë plan zhvillimi të mirëfilltë, që do të jetë programi me të cilin do të zhvillojmë të gjitha pjesët e Tiranës, si ato qendrore, ashtu edhe ato të periferisë e që përbëjnë 24 njësitë e Tiranës. Së dyti, kjo nënkupton që plani ekzistues vendor, vetëm për bashkinë e vjetër të Tiranës, nga dita e sotme nuk është më në fuqi. Nuk është më në fuqi, pavarësisht rezervave personale apo publike që i kemi shpallur edhe më parë për planin klientelist që trashëgoi Bashkia e Tiranës, por nuk është në fuqi edhe për arsyen se sot, Bashkia e Tiranës është një entitet tjetër. Sot ka 24 njësi vendore, shumë prej të cilave nuk ishin pjesë e Tiranës. Kjo do të thotë që edhe sikur të ishte i mirë plani ekzistues, ishte vetëm për një pjesë të Tiranës së vjetër.  Nga sot, duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit, plani i vjetër ndërtimor i Tiranës, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, thotë kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana e saj, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, theksoi se ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimin urban në Shqipëri.

“Mendoj që Tirana ka nevojë për një plan të zhvillimit të saj, edhe për shkak të hapësirës që ka dhe peshës specifike në zhvillimin kombëtar. Mendoj që gjithë ky proces bashkëpunimi do të jetë i suksesshëm, falë edhe urave të bashkëpunimit, edhe të mëparshme që kemi pasur me Veliajn”, u shpreh ajo.

Sipas Veliajt dhe Gjermenit, plani i ri i zhvillimit ka për qëllim të ofrojë Tiranën e konceptuar në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme dhe jo një Tiranë të një mandati apo të një procesi të caktuar politik.

Top Channel