Fermerët: Sezon i vështirë; qeveria: Problem koordinimi

01/08/2015 00:00

Viktor Shtëmbari është një fermer në zonën e Divjakës. Ai thotë se ky sezon ishte i vështirë për të, pasi nuk arriti ta shesë shumicën e prodhimit.

“Kam shitur dje 1 mijë lëkë arka, kemi shitur edhe me 100 lekë, kur e gjithë serra ka bërë 500 mijë lekë të vjetra. Kam harxhuar 1 milion e ca”, thotë ai.

Në tregun e Divjakës fermërët ankohen se çmimet e produkteve këtë vit kanë rënë në mënyrë drastike, ndërsa kostot e prodhimit mbeten shumë të larta.

“Ja, me 30 lekë po e shesim. Tani po punojmë, çdo bëjmë do prodhojmë të tjera? Ku do t’i gjejmë lekët”, thotë një kultivues bostani.

“Çmimi vjati 100 lekë, për 8 dynym sera kemi humbur gjithë atë mall, 20 tonë domate i hodhëm”, thotë një fermere.

Sipas shifrave të qeverisë, eksportet nga zona më e madhe bujqësore e vendit këtë vit janë dyfishuar. Por ajo që ka ndodhur është moskordinimi i fermerëve.

“Ajo çfarë ka ndodhur ka qenë një mbjellje e pastudiuar e një grupi fermerësh, kryesisht të kultivuesve të domates, që rezultonte në një periudhë të vonë”, thotë Alban Zusi, zv.ministër i Bujqësisë.

“Shkaku tjetër ka qenë se prodhimi është rritur shumë herë krahasuar me vitin e kaluar, sepse fermerët janë kthyer dhe po punojnë më shumë”, thotë Agim Rrasa, drejtor i Bujqësisë, Lushnje.

Vitet e fundit qeveritë janë përpjekur ta nxisin bujqësinë si një sektor, që mund të zbusë pasojat e krizës duke rritur ekonominë dhe siguruar të ardhura për familjet. Por shumë prej skemave të përdorura shpesh nuk kanë funksionuar.

“Si mund ta marr kredinë kur unë nuk e shes prodhimin? Unë zhytem me shtetin deri në fyt ashtu”, ankohen më tej fermerët.

Pak ditë më parë kryeministri lajmëroi se në tre vitet e ardhshme qeveria do të garantojë 300 milionë euro kredi për fermerët. Kjo do rriste me 6 herë financimin e sektorit nga bankat.

Por a do të funksionojë skema këtë herë për ta bërë bujqësinë një sektor lokomivë në rritjen ekonomike dhe gjenerimin e mirëqënies? Kjo me gjasa do të jetë nga testet më të vështira të qeverisë.

Top Channel