Shkatërrimi i produkteve perëndimore; Shqipëria, jo në listën e zezë të Rusisë

01/08/2015 00:00

Me anë të një dekreti të datës 29 korrik 2015, presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur që, që prej datës 6 gusht të shkatërrohen në kufi të gjitha produktet bujqësore, të cilat vijnë nga shtete që kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Federatës, apo i kanë mbështetur ato.

Gjithashtu do të shkatërrohen edhe ato produkte të cilat janë të ndaluara të importohen. Kjo shihet si një kundërpërgjigje ndaj vendeve të BE-së, të cilat pas ngjarjeve në Krime vendosën sanksione ekonomike ndaj shtetit dhe individëve rusë.

Sipas këtij dekreti, tashmë këto produkte nuk do të bllokohen për të hyrë në Rusi, siç është bërë deri më tani, por do të shkatërrohen dhe nuk do t’u lejohet të kthehen në vendet e origjinës.

Por Top Channel ka mësuar zyrtarisht se Shqipëria nuk preket nga dekreti i presidentit Vladimir Putin. Edhe pse Shqipëria është bashkuar me grupin e shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, vendi ynë nuk është në listën e zezë të shkatërrimit të importeve.

Por pavarësisht kësaj, që prej dhjetorit 2014, Shqipëria nuk kryen asnjë eksport në Rusi për shkak të problemeve të lindura lidhur me çertifikiatat fitosanitare.

Në atë kohë, Agjencia Federale Ruse e Mbikëqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare vendosi të ndalojë importimin e perimeve nga Shqipëria. Kreu i kësaj agjencie deklaroi në atë kohë se Shqipëria është përdorur si vend i rremë origjine për importimin e mallrave të Bashkimit Europian, përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

Sipas tij, vendimi u mor pas këshillimit dhe bashkëpunimit me palën shqiptare. Hetimi i përbashkët zbuloi se një firmë shqiptare lëshonte çertifikata fitosanitare false, të cilat i printonte në një shtëpi botuese në Çeki.

Por edhe pse në atë kohë nga zyrtarë të shtetit shqiptar u fol se shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje, mësohet se deri më tani Shqipëria vijon të mos eksportojë asnjë produkt bujqësor në Federatën Ruse, edhe pse pesha e këtyre eksporteve është shumë e vogël në krahasim me vendet e tjera.

Mësohet se si pala shqiptare ashtu edhe ajo ruse që prej dhjetorit janë duke zhvilluar bisedime intensive për të ngritur një grup të përbashkët për të kryer kontrollet e produkteve bujqësore që Shqipëria eksporton në Rusi, të cilat mbajnë dhe peshën kryesore të eksporteve, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat konkret.

Kështu që edhe pse Shqipëria nuk është në listën e zezë të Rusisë, që hyn në fuqi më 6 gusht, eksportuesve shqiptarë do t’u duhet të presin ende që produktet e tyre të gjejnë vend në tregjet ruse.

Top Channel