Ekstradohet nga Gjermania 44-vjeçari, Gjykata: Mori peng “hajdutin” e parave

01/08/2015 00:00

U ekstradua këtë të shtunë, nga Gjermania në Shqipëri, 44-vjeçari Dritan Brisku, banues në Kuçovë. Gjykata e Apelit e Tiranës, më 20 tetor të vitit 2014 e ka dënuar atë me 2 vjet burg, për “heqje të paligjshme të lirisë së personit”.

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se, më 20 mars 2013, ka patur një marrëveshjeje për transportimin e një sasie të madhe parash britanike (paund) nga Londra për Tiranë, midis Briskut dhe një personi me inicialet E.M. Si drejtues i mjetit, nëse E.M. do ta kalonte shumën parave, do të shpërblehej me 6000 euro.

Por disa ditë më pas, E.M. u akuzua nga 44-vjeçari Brisku dhe shokët e tij se kishte përvetësuar paratë, pa i çuar ato në destinacionin e kërkuar, ndaj e kanë dhunuar atë. Si pasojë e dhunës së ushtruar, E.M. ka përfunduar pa ndjenja, në shtëpinë e pengmarrësve të tij, në rrugën “Komuna e Parisit”, në Tiranë.

Pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden (Gjermani), më 10 korrik të këtij viti, Dritan Brisku u arrestua në Gjermani nga autoritetet policore gjermane, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

Top Channel