Dializa, Beqaj: Koncesioni, me garë ndërkombëtare. Shtrijmë shërbimin në 5 rrethe

01/08/2015 00:00

Në Shqipëri janë 940 persona të cilët gjatë një viti kryejnë 156 seanca dialize, me një kosto prej 80 euro për secilën prej tyre të paguar nga shteti.

Në pamundësi për t’u ofruar shërbimin në spitalet shtetërore të gjithë këtyre pacientëve, që prej vitit 2007 gjysma e tyre e marrin atë në spitalet private, ku shteti paguan faturën e këtij shërbimi.

Pas akuzave të PD për një koncesion me fitues të paracaktuar, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në një prononcim për Top-Channel fillimisht shpjegon se për çfarë koncesioni bëhet fjalë.

“Të hënën do hapet gara ndërkombëtare, realizuar sipas mjeteve të Prokurimit Publik, për shërbimin e dializës, që ne duam ta ngremë në spitalet e Elbasanit, Shkodrës, Vlorës, Korçës dhe Lezhës”, deklaron Beqaj.

Por përse është i nevojshëm ky koncesion?

“Shërbimi i dializës që ne kemi sot në Elbasan dhe Shkodër, nga pikëpamja e cilësisë është tejet i amortizuar. Së dyti, ne kemi nevojë ta zgjerojmë këtë shërbim në këto qytete sepse numri i të sëmurëve rritet. Ndërsa në 3 qytetet e tjera duam ta ngremë, në mënyrë që të sëmurët ta marrin shërbimin sa më pranë vendbanimit. Duke qenë se jemi në kushte të kufizuara financiare për të investuar para publike, duam të shfrytëzojmë partneritetin publik-privat, për t’i ngritur këto qendra brenda spitaleve publike dhe që më vonë të kalojnë në administrim publik”, nënvizon Beqaj.

Ministri Beqaj hedh poshtë pretendimet e opozitës, përfshirë vlerën e koncesionit të deklaruar prej saj prej 61 milionë euro.

“Deklarata e sotme e PD është cinike, sepse shërbimi i dializës me operator publik ka nisur në kohën e PD, dhe mirë ka bërë. Nuk besoj se PD është kundër që edhe njerëzit në Vlorë, Lezhë, etj, ta marrin aty shërbimin. Dhe ky koncesion nuk ka lidhje me shifrën spekulative të PD”, thotë Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë flet edhe për borxhet e trashëguara nga qeveria e shkuar kundrejt spitaleve private, të cilat kishin ofruar shërbimin e dializës.

“Në shtator 2013 ne gjetëm fatura të papaguara të institucioneve publike që ofronin dializën në 2.4 milionë euro. I kemi shlyer këto detyrime të paprambetura dhe po shlyejmë gradualisht detyrimet që lindin çdo muaj”, shton Beqaj.

Top Channel