Gërmimet dhe trafiku i objekteve arkeologjike, a është gjetur vërtet Kupa e Krishtit në Shqipëri?

01/08/2015 00:00

Për mëse 24 vjet, sitet arkologjike në të gjithë vendin kanë rënë pre e gërmimeve të paligjshme nga persona të ndryshëm, të cilët në shumë raste kanë mundur të trafikojnë objektet e gjetura. Kjo barbari, e kthyer thuajse në një modë, vazhdon të cënojë zona të tilla edhe pse ligjet në këtë drejtim janë mëse të qarta.

“Askush nuk gjen një objekt arkeologjik mbi tokë, që do të thotë se është nën tokë dhe që për ta gjetur nën tokë ka kryer një procedurë gërmimi që automatikisht është e jashtëligjshme, sepse në çdo periudhë kohore të shtetit shqiptar, edhe kur ka qenë nën Perandorinë Otomane, gërmimet e jashtëligjshme arkeologjike kanë qenë të ndaluara. Nëntoka ka qenë pronë e shtetit shqiptar. Pra, çdo objekt që gjendet aty”, deklaron Silva Breshani, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit.

Ditët e fundit, një rast konkret ka bërë që të diskutohet sërish mbi këtë çështje. Ishte një video e shpërndarë në internet, ku duken dy persona që nxjerrin në dritë disa objekte që ndezën fort debatin në opinion.

Videoja, që vazhdon të qarkullojë në mediat sociale, hedh dyshime mbi gjetjen e Gralit të Shenjtë, apo Kupës së Krishtit, siç njihet ndryshe në Shqipëri.

Por sa e vërtetë është kjo? Çfarë është ky objekt enigmatik që ka turbulluar opinionin? Një shaka interneti, apo një objekt me vlerë që rrezikon të humbasë nuk dihet se ku?

Personi i cili duket në video dhe që aktualisht zotëron këtë objekt është nga Çorovoda dhe quhet Fetah Sulçe. Ai hedh poshtë akuzat se ka dashur të trafikojë kupën, të cilës i atribuon një vlerë të jashtëzakonshme, duke thënë se e ka marrë dhuratë nga një mik.

“Materiali që shikoni më është dhuruar nga një miku im para 2 vjetësh. Më janë bërë oferta të shumta për ta shitur, por nuk e kam shitur sepse është një vlerë kombëtare, që i takon vetëm kombit tim dhe dua që ta ekspozoj për kombin tim”, thotë Sulçe.

Megjithatë, zonja Breshani deklaron se objekti duhet të jetë i shoqëruar me dokumentat përkatëse noteriale që dëshmojnë prejardhjen. Në rastin konkret, nëse ato nuk ekzistojnë, zonja Breshani thotë qëndrimin e Qendrës së Inventarizimit.

“Nëse s’ka dokumenta të rregullta dhe aq më tepër ajo çfarë ai ka reklamuar për veten e tij, për gjetjen e objektit, është e pamundur që të pajiset me pasaportë. Ne kemi marrë aktin noterial, që ai e ka të pafirmosur, kemi marrë fotografinë, posedojmë videon që është bërë publike, por me sa kam parë unë për personin në fjalë, jo vetëm s’mund të ketë respekt por s’mund të trajtohet me prioritet”, nënvizon Breshani.

“Besoj se unë jam shumë në rregull, sepse këtë e kam bërë të ditur dhe e kam konfirmuar kur më kanë thirrur organet kompetente. E them përsëri se këtë objekt e kam unë dhe jam gati t’i përgjigjem në çdo moment shtetit shqiptar”, insiston në qëndrimin e tij Sulçe.

Sipas zonjës Breshani, poseduesit aktual të objektit veç të tjerash i është kërkuar që të marrë një mendim edhe nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, një ekspertizë nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe të jetë i besueshëm në deklaratat e tij, që sipas saj janë kontradiktore. Gjithashtu, ai duhet të bëjë një kërkesë për ngritjen e një komisioni vlerësimi dhe vetëm më pas mund të vendoset.

“Të verifikohet nëse personi vlen për të qenë poseduesi i atij objekti, apo është thjesht një ndër shkatërrimtarët e shumtë të trashëgimisë kulturore shqiptare”, nënvizon Breshani.

Objekti kaq shumë i debatuar nuk është prej floriri. Ai ka disa gdhëndje në trup, të cilat duhen verifikuar nga ekspertët se cilës periudhë i përkasin. Nën të, objekti ka vitin 1764, datë kjo që megjithatë kuptohet se është bërë shumë kohë më vonë nga ç’daton objekti.

Brenda tij janë gjetur tre monedha të arta dhe nje gur me përbërje të veçantë. Shoqëruar edhe nga një hartë, që sipas disa studiuesve që kanë mundur ta shohin tregon se ky objekt ka një vlerë mjaft të madhe.

Është e vështirë të thuhet nëse ai është Grali i Shenjtë, pasi vlerën e tij do të mund ta vendosin vetëm ekspertët. Në çdo rast, ajo që ka rëndësi është që ky objekt të mbetet në Shqipëri e të mos përfundojë i trafikuar si shumë të tjerë, që ose kanë marrë rrugët e koleksionistëve në botë, ose mbahen si trofe nga shume koleksionistë vendas.

Sitet arkeologjike sot në Shqipëri janë të rrezikuara nga abuzuesit, çka do të thotë se masat për t’i ndaluar ata duhet të rriten. Sa i takon rastit konkret, fjalën e fundit do ta thonë organet përkatëse.

Top Channel