Krimet e Rënda çojnë për gjykim trafikantin e tritolit

01/08/2015 00:00

Prokuroria për Krimt e Rënda ka dërguar për gjykim dosjen ndaj shtetasit Kastriot Prenga, i akuzuar për trafikim të lëndëve plasëse. Ky shtetas është arrestuar në flagrancë në kuadër të hetimit të drejtuar nga Prokuroria dhe të zbatuar nga ana e Policisë së Shtetit, më datë 01 dhjetor 2014, me një sasi prej 18 kallëpe lëndë plasëse C4.

Hetimi ndaj tij kishte nisur në bazë të informacioneve të referuara nga ana e policisë, e cila kishte siguruar në mënyrë operative informacione se i pandehuri Prenga, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, kryente trafikim të lëndëve plasëse kundrejt pagesave të ndryshme.

Në kuadër të këtij hetimi, si dhe për të provuar faktin kriminal, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda u lejua veprimi hetimor i blerjes së simuluar.

Në zbatim të planit hetimor, oficerë të policisë gjyqësore realizuan blerje të rremë të lëndëve plasëse C4 tek ky person dy herë, përkatësisht në datat 30 nëntor 2014 dhe 01 dhjetor 2014.

Sasia e e blerë në mënyrë të simuluar ishte e vogël, por u shërbeu autoriteteve hetimore të krijonin bindjen e plotë se 38-vjeçari konsumonte veprën penale të “trafikimit të lëndëve plasëse”.

Pasi u realizua dhe blerja e dytë, Prenga u largua dhe u mbajt nën mbikëqyrje nga ana e forcave të policisë. Në vijim të ndjekjes, ai u arrestua në flagrancë dhe iu gjetën 18 kallëpe C4, të cilën ishte nisur për ta shitur në qytetin e Vlorës.

Nga hetimet nuk u provua se Prenga e kishte kryer veprën penale në bashkëpunim me persona të tjerë, por rezultoi qarte se veprën penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, ai e kishte kryer më shumë se një herë.

Vetë i pandehuri e ka pranuar pjesërisht akuzën e ngritur nga prokurorët, duke treguar edhe pendesë për kryerjen e saj.

Top Channel