Amerika, vendi që vritet nga “terrorizmi” i brendshëm

01/08/2015 00:00

Që prej sulmeve të 11 shtatorit 2011, Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur me agresivitet rrezikut të kanosur nga terrorizmi, duke ndërmarrë masa të jashtëzakonshme, duke pushtuar dy vende, duke ndërmarrë operacione ushtarake në shumë të tjerë dhe duke shpenzuar mbi 800 miliardë dollarë për sigurinë e brendshme.

Amerikanët kanë pranuar një zgjerim të paprecedent të kompetencave të qeverisë dhe mbikëqyrjen e privatësisë së tyre për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla.

Që prej 11 shtatorit, në Shtetet e Bashkuara janë vrarë 74 persona nga terroristët, sipas të dhënave të grupit “New America”.

Por në të njëjtën periudhë, mbi 150 mijë amerikanë janë vrarë për shkak të qarkullimit të armëve dhe për këtë nuk është bërë asgjë. Ky është opinioni i analistit Fareed Zakaria, i cili është publikuar në mediat amerikane me titullin “Amerikë, ndrysho ligjin e armëve”.

“Ne duket se jemi më të prirur të anojmë nga fatalizmi. Një tjetër ditë, një tjetër masakër nga armët. Gjë që është praktikisht e vërtetë”, shkruan Zakaria.

Faqja e internetit shootingtracker.com ka dokumentuar se në 207 ditët e para të vitit 2015, në Shtetet e Bashkuara janë verifikuar 207 raste të shtënash masive me armë zjarri.

“Pasi një gjë e tillë ndodh, secili ndjek një ritual tronditjeje dhe tmerri dhe më pas vazhdon, i vetëdijshëm se asgjë nuk do të ndryshojë, duke pranuar se kjo është pjesë e stilit të jetesës së amerikanëve. Por bëhet fjalë për 150 mijë të vdekur, thuajse trefishi i viktimave të luftës së Vietnamit”, vijon analizën e tij Zakaria.

Top Channel