Afganistan, lideri i ri i talebanëve bën thirrje për unitet

01/08/2015 00:00

Lideri i ri i talebanëve afganë, Mullahu Akhtar Mansour, në mesazhin e tij të parë ka bërë thirrje për unitet dhe ka deklaruar se luftimet do të vazhdojnë.

“Ndarja e luftëtarëve në radhët tona vetëm sa gëzon armikun. Ne do të vazhdojmë luftën tonë të shenjtë derisa të vendosim ligjin islamik në vend”, thuhet në mesazhin audio.

Regjistrimi prej 30 minutash, në të cilin dëgjohet herë pas here qarja e një fëmije, iu shpërnda gazetarëve nga zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid, këtë të shtunë.

Deklarata e Mansour interpretohet nga ekspertët si një sinjal se ai do t’i bëjë gjërat ndryshe nga parardhësi i tij, Mullahu Omar, që bazohej kryesisht tek mesazhet e shkruara.

Regjistrimi është bërë në një fjalim që lideri i ri ka mbajtur në një takim me disa dhjetëra mbështetës të tij, pas zgjedhjes ditën e enjte.

Edhe pse po përballet me kundërshtime të forta të zgjedhjes së tij, Mansour duket se është i fokusuar tek konsolidimi i pushtetit dhe autoritetit të tij.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e shohin me optimizëm daljen nga skena të Mullah Omar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnst ka deklaruar se, zhdukja e tij do të thotë mundësi për progrese të metejshme për një Afganistan më të qëndrueshëm e më të sigurt.

“Në këtë moment tranzicioni, talebanët kanë mundësinë të zgjedhin nëse duan të luftojnë kundër popullit të tyre dhe destabilizimit të vendit, apo të zgjedhin paqen”, deklaroi Earnst.

Amerika, tha ai, i sugjeron talebanëve të pranojnë ftesën e presidentit Gani për paqe me qeverinë.

Top Channel