Siria akuzon Turqinë në OKB: Është bashkëpunëtore e ISIS

01/08/2015 00:00

Siria ka ngritur akuza të rënda kundër Turqisë para Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur atë bashkëpunëtore të ISIS.

Akuzat vijnë në një kohë kur Ankaraja zyrtare pret mbërritjen e njësive të Shteteve të Bashkuara në bazën Incirlik, afër kufirit me Sirinë, për t’i dhënë kështu një ndihmë ofesnsivës anti-ISIS në territorin sirian.

Në një mesazh zyrtar dërguar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, Walid al-Moallem, ministër i Jashtëm i Sirisë thekson se:

“Qeveria e Republikes Arabe Siriane vë në pah tentativat e qeverisë turke për ta trajtuar veten si viktimë, kur të gjithë e dime ç’ka bërë kjo qeveri në të shkuarën sa i përket furnizimit me armë apo çdo lloj mbështetjeje terroristëve”.

Në të tjerë paragrafë, kryediplomati sirian akuzon Turqinë se, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka mbështetur terroristët e ardhur prej më shumë se 100 vende të tjera, duke i lënë të kalojnë lirshëm në kufirin turk për t’u bashkuar me ISIS, Al Nusrën apo grupe të tjera të lidhura me Al Kaedën.

Gjithashtu, ministri ka akuzuar qeverinë e Ankarasë se ishte në dijeni të plotë për “kontrabandën e naftës, grurit, pambukut dhe veprave arkeologjike që vijnë nga Siria e që njerëzit e ISIS i shkëmbjenë me të holla, armë, municione dhe mbështetje logjistike”.

Pa lënë mënjanë, vazhdon më tej shkresa. “qindra industritë siriane që janë çmontuar dhe transferuar në Turqi”.

Në shkresën zyrtare bëhet gjithashtu e ditur se për momentin, sipas burimeve operative qeveritare në Damask, në Siri operojnë 70 organizata terrorise, shumë prej të cilave sipas ministrit të Jashtem Al-Mohallem, stërviten në kampe që janë krijuar me qëllim formimin e formacioneve ushtarake të opozitës së moderuar.

“Kampe këto, ku konfirmohet edhe prezenca e zyrtarëve të ushtrisë amerikane”, vijon mesazhi zyrtar.

Për momentin, nga sa shkruan edhe e perditshma turke “Hurriyet”, ushtria turke nuk ka planifikuar ende operacione tokësore në territorin sirian, por vetëm një sulm ajror të koordinuar me aeronautikën e Shteteve të Bashkuara.

Qëllimi i sulmeve turko-amerikane, sipas marrëveshjes së 22 korrikut midis presidentëve Obama dhe Erdogan, nuk do jetë vetëm goditja e bazave të Kalifatit, por realizimi gjithashtu i një zone bllokade në territorin mes Sirisë dhe Turqisë për të ndaluar hyrjen e terroristëve të tjerë për në Siri.

Top Channel