Mima: Performanca fiskale, e dobët. Rama, taktika diktatoriale

01/08/2015 00:00

Deputeti i PD, Florion Mima ka kritikuar qeverinë për performancën sipas tij të dobët fiskale dhe mosdhënien e këstit të radhës nga FMN-ja.

Duke iu referuar deklaratës së përfaqësuesit të Fondit në Tiranë, se qeveria shqiptare ka kërkuar kohë për të përmirësuar performancën fiskale, Mima ka bërë këtë koment:

“Shefi i ekzekutivit shqiptar e kishte bërë të qartë një ditë më parë se si do ta “përmirësonte” performancën fiskale në shtator. Me polici, me ashpërsim të dispozitave penale, me konfiskime, me burgosje… shqip, me grushtin e hekurt të diktaturës fiskale që po ravijëzohet në horizont”, është shprehur Mima.

Përmes një deklarate për mediat, Mima ka shprehur keqardhjen e tij për braktisjen “e frikshme” të parimeve të shëndosha të administrimit fiskal dhe për një kthim nostalgjik të metodave të diktaturës.

“Mundet që në shtator policia, ushtria, forcat speciale të turren mbi librat kontabël të tatimpaguesve e ndoshta të hyra shtesë të vilen me arbitraritet e me përdhunë. Por ky nuk është administrim fiskal, ky është preludi i diktaturës fiskale”, ka thënë Mima.

Ai ka vlerësuar se, Shqipëria sot, me një shkallë tatimore rreth 50% më të lartë, mbledh më pak të ardhura se para dy vjetësh.

“Nëse represioni rritet, dëmet që do t’i shkaktohen sistemit do të jenë të pariparueshme dhe shkuarja e tatimpaguesve me ligjin do të plagoset për vdekje. Gjithçka është arritur në këto 25 vjet, e që sigurisht nuk është perfekte, rrezikon të hidhet në erë nga një mendje INUK-e”, ka pohuar Mima.

Anëtari i komisionit të ekonomisë ka uruar që në Uashington zyrtarët e FMN-së t’u jenë rikthyer raporteve për administrimin fiskal ndër vite në Shqiperi, “aty kanë gjithçka u duhet”.

“Por mundet që askush të mos i dëgjojë, pasi do jenë duke dëgjuar tupanin rilindas apo dajren e kryetarit që jep sinjalin për sulm”, ka shtuar Mima.

Top Channel