Snoop Dogg ndalohet në aeroportin italian

02/08/2015 00:00

Ylli i muzikës Rap, Snoop Dogg është ndaluar nga policia në Itali, pasi është kapur me 422 mijë dollarë “cash”, siç bëjnë të ditur autoritetet italiane.

Këngëtari ka qenë duke udhëtuar përmes një aeroporti të Kalabrisë, ku kishte qenë për të performuar në një tur të tij.

Ngjarja ka ndodhur pasi, sipas një rregulli të BE-së, shumat e parave “cash” mbi 10 mijë euro duhet të deklarohen nga kushdo, që udhëton përmes aeroporteve në vendet e Bashkimit Europian.

Javën e kaluar, këngëtari amerikan u ndalua pas dyshimeve për posedim të paligjshëm droge në Uppsala të Suedisë. Ai kritikoi atë që vetë e konsideroi si një “profilizim racist” të policisë suedeze, por autoritetet suedeze bëjnë të ditur se ende janë në pritje të rezultateve të testit, që do të vërtetojë nëse Snoop Dogg ka qenë i droguar në momentin e ndalimit apo jo.

Pasi e ndaluan ditën e shtunë, teksa ai bëhej gati të ngjitej në bordin e një avioni privat, policia italiane i sekuestroi gjysmën e sasisë prej 442 mijë dollarësh, bazuar mbi ligjet për pastrim parash, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve ANSA.

E megjithatë, pjesa e sekuestruar pritet t’i rikthehet repperit, pavarësisht se një “gjobë” e vogël do t’i vendoset e do t’i mungojë sasisë së kthyer, bëjnë të ditur përfaqësues të “Guardia di Finanza”.

Snoop Dogg, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Broadus, pritet të këndojë në festivalin “Kendal Calling” në veri të Anglisë këtë të diel.

Top Channel