Paralajmërimi në Kinë: Një ushtri e korruptuar nuk mundet të fitojë beteja

02/08/2015 00:00

Një letër zyrtare e ushtrisë kineze, e zbuluar këtë të dielë, paralajmëron se një ushtri e korruptuar nuk mundet të fitojë nëpër luftëra. Zhvillimi i fundit vjen 3 ditë pasi qeveria njoftoi hetimin e një oficeri të lartë ushtarak për marrje ryshfeti.

Oficerët ushtarakë në detyrë apo ata të dalë në pension, ashtu sikurse dhe media shtetërore kineze kanë ngritur dyshime se, Forcat e Armatosura të Kinës janë aq shumë të korruptuara, saqë nuk munden të luftojnë e jo më të fitojnë një betejë të mundshme.

Presidenti Xi Jinping e ka konsideruar çrrënjosjen e korrupsionit në Forcat e Armatosura si një objektiv primar, duke shkarkuar nga detyra shumë oficerë të lartë, përfshi edhe dy prej drejtuesve më të lartë të ushtrisë kineze, Xu Caihou dhe Guo Boxiong.

Qeveria bëri të ditur të enjten se do të nisë hetimet për korrupsion ndaj Guo, ndërsa Xu ndërroi jetë nga kanceri në muajin mars.

“Nëse lejojmë rritjen dhe përhapjen e korrupsionit, atëherë armët do të ndryshken, kolonat bazë do të shemben”, thuhej në editorialin e faqes së parë të së përditshmes së Ushtrisë Çlirimtare Popullore. “Historia ka provuar vazhdimisht se, nëse korrupsioni nuk eliminohet, atëherë do të mposhtim vetveten edhe pa pasur ndonjë luftë”.

Oficerë të rangut të lartë si Xu apo Guo kanë ndikuar në moralin e popullit dhe kanë pasur impakte të rënda në besimin dhe bindjen e ushtarëve, thuhej më tej në artikull. Media shtetërore është fokusuar bindshëm në këtë çështje, aq sa konsideron korrupsionin si shkakun kryesor të humbjes së Kinës në Japoni, gjatë viteve të sundimit të dinastisë Qing.

Top Channel