Presidencialet në SHBA, Joe Biden pritet të kandidojë për demokratët

02/08/2015 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, i frymëzuar veçanërisht nga humbja e djalit të tij, ka zhvilluar takime në rezidencën e tij në Uashington për të diskutuar mbi një sfidë të mundshme ndaj Hillary Clintonit në betejën brenda partisë për të siguruar nominimin e demokratëve në Presidencialet e 2016-s.

Lajmi është raportuar të shtunën nga e përditshmja amerikane “New York Times”. Biden e ka shprehur edhe publikisht faktin se do të merrte një vendim në fund të verës, por “NYT” ka zbuluar se zëvendëspresidenti i SHBA-ve dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë tepër aktivë gjatë kohëve të funidt në kërkim të hapësirave të mundshme për t’u përfshirë në garën presidenciale.

“New York Times”, duke cituar disa persona që kanë diskutuar me vetë zv.presidentin por edhe këshilltarë të tij, bën të ditur gjithashtu se kampi i Joe Biden ka kontaktuar me krerët demokratikë dhe me donatorë të ndryshëm, të cilët nuk e kanë shprehur ende angazhimin e tyre në krah të Clintonit, udhëheqësja e bindshme deri më tani mes 5 kandidatëve demokratë që kanë hyrë në garë, ose që mund të ndihen të pasigurt në lidhje me perspektivën që ka ish-Sekretarja e Shtetit.

72-vjeçari Biden ka pasur takime në rezidencën e tij në Uashington për të shqyrtuar idenë e rivalizimit të Hillary Clintonit në Iowa dhe New Hampshire, thekson më tej analisti i “New York Times”, Maureen Dowd. Ndërkohë që sipas së njëjtës medieje, Steve Riccheti, shefi i stafit të Biden, ka nisur bisedimet me mbështetësit që prej disa muajsh, përpara se Beau Biden të ndërronte jetë në maj në moshën 46-vjeçare.

“The Wall Street Journal”, nga ana tjetër, bën të ditur se John Cooper, një financues i kandidimeve të suksesshme të Barack Obamës për President të SHBA-ve, i është bashkuar thirrjeve për të nxitur Bidenin të rikandidojë sërish, edhe pse ka dështuar në dy tentativa të mëparshme në vitet 1988 dhe 2008.

Top Channel