Gjermanët, të shqetësuar për të ardhmen e BE-së… Por ende besojnë

02/08/2015 00:00

Beteja për Europën do të fitohet, ose do të humbet në Gjermani. Edhe pse duket se mundësia e dytë zotëron më shumë përparësi nga e para, të paktën gjatë këtyre ditëve të fundit, nuk duhet nënvlerësuar angazhimi i thellë i gjermanëve për të pasur sukses në integrimin europian bazuar mbi sundimin e ligjit.

Nëse Bashkimi Europian dështon dhe shpërbëhet, ka të ngjarë të ndodhë për shkak të rikthimit të nacionalizmit dhe një refuzimi të këtij uniteti nga francezët, britanikët dhe holandezët për të siguruar më shumë sovranitet, sesa nga këmbëngulja gjermane për disiplinë fiskale dhe respektim të rregullave.

“Nëse euro dështon, atëherë do të dështojë edhe Europa”, ka paralajmëruar vazhdimisht Kancelarja Merkel në Parlamentin gjerman, Bundestag.

Periudha pas atij samiti të gjatë e të bezdisshëm të Eurozonës mbi krizën e borxhit grek, që përfundoi më 13 korrik me një marrëveshje për masa të rrepta financiare në këmbim të negociatave për një paketë të tretë ndihme, duket se ka lëshuar një valë tronditëse anembanë Europës, e veçanërisht në Gjermani.

Kjo është hera e dytë gjatë këtyre javëve, që udhëheqësit e BE-së përplasen mes tyre mbi probleme fundamentale, të cilat ata duken se e kanë të pamundur t’i zgjidhin, ashtu sikurse samiti i hidhur i qershorit, gjatë të cilit u diskutua mbi mënyrën sesi do të përballej vala e emigrantëve ilegalë, shumica e të cilëve refugjatë nga zonat e konflikteve, që me dëshpërim të thellë kërkojnë të strehohen në Europë.

Kjo ka shkaktuar dhimbje koke intensive në Berlin, sesi do të mund të përforcohen institucionet europiane dhe sesi do të mund të mbështetet euroja në mënyrë më të qëndrueshme; një tronditje intelektuale e pashoq në shumicën e kryeqyteteve të tjera të BE-së.

“Kur udhëton nëpër vendet europiane, nuk ka shumë prej tyre që mendojnë aq fuqishëm sa Gjermania, sesi ta bëjnë një Europë të integruar të funksionojë më mirë sesa aktualisht”, tha një zyrtar i lartë gjerman.

Ndoshta edhe për shkak të historisë së tij në Luftën e Dytë Botërore, Berlini duket më i hapur sesa shumica e kombeve të BE-së, për t’iu ofruar strehim viktimave të luftës, ndaj dhe ka pranuar kuotën më të madhe të azilkërkuesve.

Merkeli nuk është se ka qenë më e ashpër nga të gjithë, pasi të tillë janë treguar edhe huadhënës si Finlanda, Holanda, Letonia, Lituania dhe Sllovakia, të cilat kanë këmbëngulur për masa shtrëguese tepër të rrepta ndaj Greqisë në këmbim të një ndihme të mëtejshme.

E megjithatë, Gjermania sërish ka marrë pjesën më të madhe të fajit. Edhe kjo, ndoshta për shkak të së shkuarës, që lidhet me referencat e tiranisë naziste, që i bëjnë gjermanët e sotëm të servilosen. Irritimi më i madh erdhi pasi ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schaeuble, theu tabunë duke sugjeruar një dalje të Greqisë nga Eurozona, qoftë edhe përkohësisht, nëse nuk do të përmbushte kushtet.

Pas dekadave të tëra përpjekjesh për të qenë një lojtar modest ekipi në Europë, apo për të bashkëdrejtuar integrimin përmes një dysheje franko-gjermane, Berlini është katapultuar në një rol të padëshirueshëm të udhëheqësit të vetëm, që prej krizës së Eurozonës të nisur në vitin 2010.

Barra e tepër e përgjegjësisë, ndoshta edhe për shkak të dobësisë franceze dhe indiferencës britanike, sesa nga ambicia gjermane, ka peshuar rëndë mbi gjermanët, të cilët po i frikësohen faktit se të tjerët po përpiqen të vjedhin në xhepat e tyre, pa bërë aspak përpjekjet e tyre për t’u konsoliduar financiarisht.

Ekonomistë kejnsianistë kritikojnë ashpër nivelet e eksporteve dhe kursimit të brendshëm në Gjermani; mosdurimin e europiano-jugorëve të politikave të masave shtrënguese të tyre; keqardhjen e amerikanëve, britanikëve dhe francezëve prej refuzimit të Gjermanisë për t’u bërë një fuqi edhe më e madhe ushtarake; si dhe vajtimin e francezëve për ngurrimin e të paguarit për “më shumë Europë”.

Stuhia e kritikave që është lëshuar ndaj Berlinit që prej marrëveshjes mbi borxhin grek, ka nxitur një përzierje të mosbindjes së të vetëkënaqurve, kërkimit të shpirtit dhe kërkimit të zgjidhjeve të reja mes drejtuesve gjermanë.

Çuditërisht, debati është më i fokusuar në mënyrën sesi të sigurohet një respektim më i mirë i rregullave të dakordësuara fiskale dhe politikave ekonomike, sesa në mënyrën sesi të ribalancohen llogaritë aktuale apo të shpërndahen mirëqenia dhe rreziqet mes zonave të pasura dhe të varfëra të komunitetit të Eurozonës.

Gjermanët mund ta konsiderojnë BE-në, bazuar në fjalët e ish-Kancelarit Helmut Kohl, si një komunitetit i fatit, por shumica nuk dëshiron që ajo të kthehet në një komunitetit përgjegjësish.

Top Channel