Ngrohja globale; Obama, masa drastike ndaj emetimeve karbonike nga TEC-et

02/08/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka planifikuar të vendosë shkurtime më drastike nga sa pritej të emetimeve të gazrave nga termocentralet në SHBA, bëjnë të ditur zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Një vit pasi propozoi kufizime të paprecedenta të dioksidit të karbonit, administrata e Obamës pritet të jetë gati për ta finalizuar dekretin gjatë një eventi të së hënës në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti e quajti këtë hap si më të rëndësishmin që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë ndonjëherë për të luftuar ngrohjen globale.

Obama, përmes një videoje të publikuar në Facebook, thotë se kufizimet drastike janë mbështetur nga të dhënat dhe faktet e nxjerra prej dekadash, të cilat tregojnë se pa të tilla veprime ekstreme, bota do të përballet me një mot edhe më ekstrem, por edhe me probleme të rënda shëndetësore si astma.

“Ndryshimet klimatike nuk do të jenë problem për një tjetër gjeneratë – ka thënë ai. – Jo më”.

Në propozimin e tij fillestar, Obama kishte kërkuar një shkurtim prej 30% të emetimeve të dioksidit të karbonit në mbarë vendin deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2005. Megjithatë, versioni përfundimtar që vjen pas konsultave më të zgjeruara me grupet ambientaliste dhe me industrinë energjetike, do të kërkojë një shkurtim prej 32% sipas zyrtarëve të administratës Obama, të cilët nuk kanë qenë të autorizuar të komentojnë haptazi, ndaj dhe kërkuan të ruanin anonimitetin.

Kundërshtarët e këtij akti thonë se do ta padisin menjëherë qeverinë. Ata kanë planifikuar gjithashtu t’u kërkojnë gjykatave të vendosin në pritje këtë projektligj, për sa kohë që ai përballet me sfida ligjore.

Versioni përfundimtar u jep gjithashtu edhe dy vite kohë shteteve të Amerikës – deri në vitin 2022 (jo 2020 siç ishte parashikuar) – të përmbushin kërkesat, për shkak të ankesave dhe afati paraprak ishte tepër i afërt. Shtetet amerikane do të kenë gjithashtu kohë deri në 2018-n (dhe jo 2017-n) për të dorëzuar planet e tyre sesi synojnë t’i përmbushin këto objektiva.

Top Channel