Kisha e Anglisë, kundër Cameron: Të tregohet më human me emigrantët

02/08/2015 00:00

Kisha e Anglisë ka reaguar ashpër kundër kryeministrit David Cameron, në lidhje me qëndrimet e tij për krizën e emigrantëve, të cilët tentojnë të hyjnë në Britani përmes tunelit të La Manshit (English Channel për britanikët) që lidh ishullin me Francën.

Peshkopi Dover i ka kërkuar shefit të qeverisë së Londrës, që t’i trajtojë emigrantët si qenie humane.

“Ne gjithnjë e më shumë po bëhemi një botë e egër dhe, duke qenë të ashpër me njëri-tjetrin e duke harruar humanizmin që na karakterizon, atëherë ne përfundojmë të përçarë. Ne kemi nevojë të rizbulojmë çfarë do të thotë të jesh human dhe se çfarë vlere ka një njeri. Të trajtosh emigrantët në atë mënyrë, tregon se i paragjykon ata. Unë mendoj se Cameron duhet të zbusë gjuhën ndaj tyre. Kjo do të thotë, që ai po i qaset çështjes në një mënyrë jo mikpritëse”.

Ky reagim vjen vetëm një ditë, pasi emigrantët u përpoqën të hyjnë me dhunë në tunelin e bllokuar. Gardhet e ngritura nga Qeveria e Londrës duket se nuk i ndaluan dot rreth 200 refugjatë, që të depërtonin në hyrje të tunelit. Ata arriten të kalonin të gjitha postblloqet e ngritura nga policia, në shenjë të fortë revolte për mënyrën sesi po trajtohen nga autoritetet.

Madje, shumica e tyre tentonin të ngjiteshin apo të kapeshin pas kamionëve, që kalonin në tunel. Me thirrjet “Hapeni kufirin, ne nuk jemi kafshë!”, emigrantët thanë se ajo ishte mundësia e tyre e fundit për të depërtuar në Angli, pasi i tremben faktit se, përveç policisë, Londra do të autorizojë edhe ushtrinë për t’i kthyer mbrapsht.

E në fakt kryeministri britanik, së bashku me homologun e tij francez, më herët kanë rënë dakord për të përforcuar sigurinë e patrullimeve në tunelin lidhës. Por presioni ndaj tyre është rritur, ndërsa disa analistë e politikanë të tjerë, madje, i kanë cilësuar edhe si racistë.

“Save the Children” shprehu gjithashtu keqardhje për këtë diskurs politik dhe, nëpërmjet një deklarate, kërkoi t’u kujtonte autoriteteve se emigrantët janë mbi të gjitha njerëz, që duan t’i ikin dëshpërimit ose rrezikut ekstrem.

Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Emigracionin, Peter Sutherland, tha se qëndrimi i Britanisë ndaj krizës tregon se vendi nuk ka marrë mësime nga periudha naziste, duke bërë analogjinë se emigrantët sot po trajtohen si hebrenjtë e vitit 1939.

Top Channel