“Kumanova”, në shtator gjyqi ndaj grupit të të paraburgosurve

02/08/2015 00:00

Autoritetet hetimore në Maqedoni kanë vazhduar t’i marrin në pyetje pjesëtarët e “grupit të Kumanovës”, të cilët vuajnë dënimin në burgjet e Shutkës, të Manastirit dhe të Prilepit.

Mediat raportojnë se, ekipet e Prokurorisë së Shkupit kanë qëndruar në Prilep dhe Manastir, ku janë shqyrtuar rastet e të paraburgosurve të tjerë, të cilët u dërguan në këto burgje për arsye sigurie.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje lidhur me procesin e marrjes në pyetje, ndërsa deklaratat dhe rrëfimet për ngjarjen pritet të jepen në shtator, kur do të nisë edhe procesi gjyqësor.

Në burgun e Prilepit janë Demë Shehu, Muhamet Krasniqi, “Komandant Malisheva”, Valdet Zekaj dhe Nexhmedin Lika. Në Manastir janë Sami Ukshini, “Komandant Sokoli”, Ardijan Bujari dhe Shefqet Hallaqi. Pjesa tjetër e të paraburgosurve janë në burgun e Shutkës.

Jozyrtarisht mësohet se “komandant Sokoli” ka mundësi të dalë për shëtitje jashtë qelisë së burgut vetëm 30 minuta, e jo 2 orë sa e parashikon ligji. Për ngjarjen e bujshme të 9 dhe 10 majit në Kumanovë janë arrestuar 33 persona.

Top Channel