HEC-et po shkatërrojnë lumenjtë, ekspertët: Qeveria të ndërhyjë

02/08/2015 00:00

Ndryshimet e klimës, të cilat shoqërohen me fenomene natyrore aspak normale, por edhe me një kosto të lartë në mjedis dhe ekonomi, kanë nisur të ndihen edhe në Shqipëri.

Rritja e temperaturave pritet të sjellë thatësirë dhe rrjedha ekstreme të lumenjve, duke e kthyer në sfidë prodhimin e energjisë së pastër. Ekspertët e mjedisit theksojnë se, dhënia e qindra lejeve për ndërtimin e HEC-eve dhe mosrespektimi i kritereve ligjore po sjell një dëm të madh në prishjen e ekosistemit natyral të lumenjve, ku po ndërhyet në mënyrë barbare.

“Mund të them se ky numër i madh HEC-esh, 499 sipas AKBN-së, janë të shtrira në të gjitha degëzimet e vogla të lumenjve. Në shumicën e HEC-eve që janë ndërtuar tashmë kemi evidentuar se rrjedha është devijuar duke e futur në tunele, tubacione, duke ngritur diga që fragmentojnë atë pjesë të lumit dhe rrjedhimisht duke fragmentuar habitatin dhe biodiversitetin që e shoqëron”, sqaron Emirjeta Adhami, specialiste pranë INCA-së.

Shoqëria civile ka mbështetur vendimin e qeverisë për ndalimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura, por ka kërkuar që shteti të ndërhyjë tek investitorët, në mënyrë që ata të respektojnë të gjitha detyrimet ligjore dhe të ruajnë regjimin e dukur të rrjedhës ekologjike të lumenjve.

“Rregulli kryesor për rrjedhën e një lumi është respektimi i rrjedhës ekologjike. Ky koncept ekziston në qarqet shkencore, por nuk është pasqyruar në ligjin shqiptar dhe në aktet nënligjore që rrjedhin nga ky ligj. Si i tillë, ende nuk është i qartë koncepti sesa ujë duhet lënë në shtratin e lumit, që të shfrytëzohet për energjinë, por dhe për gjëra të tjera”, nënvizon Adhami.

Ekspertët e Bankës Botërore, në studimin për ndryshimin e klimës kanë theksuar se, burimet ujore të Shqipërisë janë parashikuar të bien.

Top Channel