Mbulimi i medias e nxit terrorizmin

02/08/2015 00:00

Mbulimi që media i bën terrorizmit çon në dhunë të mëtejshme. Në këtë përfundim ka arritur një studim, siç raporton gazeta britanike ‘The Guardian’.  Sipas hulumtuesve, lidhja midis raportimit dhe mizorive është bërë më e ngushtë, çka do të thotë se kur një akt i pastër dhune përcillet nga media, atëherë rezulton se të tjera veprime makabre e pasojnë atë. 

Shifrat tregojnë se 42 njerëz vdesin çdo ditë nga sulmet terroriste, krahasuar me 7123 fëmijë që vdesin nga uria në mbarë botën, por sërish terrorizmi merr më shumë vëmendje.

Michael Jetter, një profesor në Shkollën e Ekonomisë dhe Financave në Medellin të Kolumbisë dhe një studiues në Institutin për Studimin e Punës në Bon të Gjermanisë, ka analizuar më shumë se 60.000 sulme terroriste mes viteve 1970 dhe 2012, bazuar në raportimet e prestigjozes ‘New York Times’. Jetter vë në dukje se gjatë 15 viteve të fundit, “bota ka përjetuar një rritje eksponenciale të tmerrshme të numrit të sulmeve terroriste”.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga sulmet terroriste në 15 vitet e fundit është rritur nga 3.387 në 15.396. Në të njëjtën kohë, grupet terroriste kanë kërkuar gjithnjë e më shumë të përdorin median për të promovuar axhendat e tyre. Videot e prerjes së kokave filmuar nga Shteti Islamik dhe të publikuara në internet kanë krijuar impaktin e një frike globale.

Pra, pyetja që shtrohet është se sa hapësirë mediatike duhet t’u jepet terroristëve, të cilët çdo moment e shohin si “oksigjen për publicitet”.

“Organizatat terroriste marrin vëmendje të gjerë mediatike, qofshin ata talebane, Al-Kaeda, Boko Haram ose ISIS gjatë kohëve të fundit. Terrorizmi është kudo në stacionet televizive, gazeta dhe radio. Por, ne gjithashtu e dimë se terroristëve u duhet media për të përhapur mesazhin e tyre, të krijojnë frikë dhe rekrutuar ndjekësit. Megjithatë, deri më tani ne nuk e dinim nëse vëmendja e medias në mënyrë aktive inkurajon sulmet terroriste. Por, përfundimet e reja të cilat burojnë nga metodologjia empirike, tashmë na e kanë dhënë përgjigjen për këtë pyetje”, thotë Jetter.

Sipas profesorit, një artikull i ‘New York Times’ lidhur me një sulm, e rrit rrezikun e një tjetër ngjarjeje të ngjashme nga 11% deri në 15%. Pra, mesatarisht një javë pas këtij lajmi, thotë ai, priten 1-2 akte dhune.

Por, pjesë e këtij studimi nuk janë vetëm sulmet terroriste, por edhe vrasjet, eksplozivët edhe vetëvrasjet, të cilat, siç shpjegon profesori, frymëzojnë të tjerë individë për t’i imituar.

Top Channel