Mustafa: I bindur që do të votohet pro krijimit të Gjykatës Speciale

02/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është i bindur se Kuvendi i Kosovës do të votojë të hënën pro krijimit të Gjykatës Speciale. Ai ripërsëriti qëndrimin se Gjykata Speciale është detyrim ndërkombëtar që derivon nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me baroneshën Catherine Ashton.

Shefi i ekzekutivit kosovar i bëri këto komente pas një aktiviteti qeveritar me të rinjtë e diasporës, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
 
Kuvendi i Kosovës do të votojë për të dytën herë për gjykatën speciale të hënën, pasi me 26 qershor ky institucion  i tha jo krijimit të saj.

Këtë dështim e duartrokiti opozita, por jo qeveria, e cila u detyrua t’i riprocedojë amandamentet kushtetuese. Por, edhe pas këtij veprimi, vota e deputetëve të pozitës, kryesisht të PDK-së që votuan kundër herën e parë, mbetet enigmë.

Mësohet se kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, do t’i mbledhë të hënën deputetët para se të fillojë seanca në orën 10:00.

Top Channel