Veliaj: Procedim penal për ata që vandalizojnë objektet publike

02/08/2015 00:00

Cilido që dëmton objektet publike në Tiranë, do të përballet me ligjin. Këtë gjë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve të nisura mëngjesin e së dielës për rikonstruksionin e Monumentit të Pavarësisë tek Parku Rinia, i cili prej tre vitesh dëmtohet, vidhet dhe pjesët i shiten për skrap, madje kohët e fundit po zëvendëson edhe banjot publike.

“Kushdo që vandalizon qytetin do të procedohet penalisht. Monumenti i Pavarësisë është pronë publike, urat e Tiranës janë pronë publike, muret e Tiranës janë pronë publike. Kush përdor “graffitti”, heq një tullë nga ura apo urinon poshtë saj, do të procedohet penalisht. I kërkoj qytetarëve bashkëpunim. Nëse shohin akte vandalizmi, të njoftojnë Policinë e Shtetit ose Policinë Bashkiake”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se puna e nisur do të përfshijë të gjithë monumentet historike në kryeqytet, të cilat janë në gjendje të mjeruar. Ndër të tjera, kreu i bashkisë paralajmëroi dhe nisjen e aksionit të madh të pastrimit të Tiranës, i cili do të nisë mëngjesin e së hënës.

Top Channel