Enno Bozdo: Veliaj gënjen për Monumentin e Pavarësisë

02/08/2015 00:00

Enno Bozdo, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ka reaguar pas deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj ditën e dielë, i cili tha se objektet publike të kryeqytetit nuk do të vandalizohen më, siç është bërë në kohën kur bashkinë e kishin demokratët.

“Monumenti i Pavarësisë është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe kurrë nuk ka qënë në inventarin e Bashkisë Tiranë. Mirëmbajtja e tij i takon Ministrisë së Kulturës, ndërsa ruajtja e tij, vetëm 50 metra larg zyrës së Tahirit, është përgjegjësi direkte e ministrit të Brendshëm. Monumenti është grabitur dhe më pas nuk është mirëmbajtur dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Kumbaro dhe Tahiri. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës nuk ka aspak lidhje me 700 ton bronx që sipas Veliajt i mungokan Kryeqytetit. Bashkia nuk ka lidhje aspak me bronxin, nuk e ka në inventarin e saj. Është absolutisht një trillim i ulët i Veliajt”, tha Bozdo.

“Sa për çështjen e gjendjes financiare, ky pretendim shënon gjithashtu gënjeshtrën e radhës: Bashkia ka paguar rrogat e muajit Korrik dhe në arkën e saj janë afërsisht 550 milionë lekë të reja dhe rreth 50 milionë lekë në gjendje kesh. As që mund të mendohet një situatë më e favorshme financiare. Veliaj duhet ta dijë mirë se Rama e la Bashkinë e Tiranës me 80 milionë USD borxhe dhe as edhe me një kacidhe lek, për të paguar qoftë edhe një ditë rrogë të një punonjësi të vetëm”, shtoi Bozdo.

Top Channel