Vdekja e të moshuarave, prokuroria çon për gjykim 3 grabitësit

03/08/2015 00:00

Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim tre të rinj, përgjegjës për vdekjen e dy të moshuarave gjatë një grabitjeje të ndodhur në këtë qytet më 2 shtator të vitit të kaluar.

Sipas një njoftimi për shtyp nga institucioni lokal i akuzës, bëhet fjala për shtetasit Indrit Shaqja, Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Ky i fundit, i afërm i dy të moshuarave Gjinovefa dhe Elsa Vava, ishte në dijeni të faktit se ato mbanin në shtëpi sende me vlerë dhe shuma parash.

Duke u organizuar me Shaqjan dhe Elmazin, ai ka hyrë në shtëpinë e tyre gjatë natës për të realizuar grabitjen. Dy të moshuarat, të cilat jetonin vetëm, kanë ndjerë hyrjen e grabitësve në shtëpi, por menjëherë janë gjendur nën agresionin e tyre e më pas janë lidhur dhe me nga një copë leckë u është mbyllur goja.

Vjedhja ka zgjatur rreth 40 minuta dhe tre të rinjtë janë larguar me mbi 200 mijë lekë të reja, bizhuteri me vlerë dhe me rreth 20 franga në monedha ari.

Pak kohë pas ngjarjes policia arrestoi fillimisht shtetasit Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli, ndërsa arrestimi i Indrit Shaqjas u realizua në Spanjë, prej nga u bë dhe ekstradimi për në Shqipëri.

Të tre ata akuzohen për “vjedhje me pasojë vdekjen”, ndërkohë që nën procedim ka përfunduar edhe shtetasja Valbona Shaqja, bashkëshorte e Endritit, nën akuzën e “përvetësimit të parave”.

Top Channel