Berisha: Protesta kundër qeverisë. Ekonomia në pikiatë

03/08/2015 00:00

Kur të gjithë janë pushim, Sali Berisha ka shumë për të thënë. Ai pret që shtatori të jetë një stinë protestash, të cilat mund të realizojnë edhe atë që e quan “largim të qeverisë nëpërmjet revolucionit demokratik”.

“Revolucionin demokratik e bëjnë ata burra dhe gra që vendosin të ngulen në bulevardin e Tiranës me listën e kërkesave në dorë dhe që nuk ikin prej andej deri në plotësimin e tyre. A ka të tille opozita? Unë them ka me mijëra e mijëra. Të ndiqen të gjitha format e protestës demokratike”, thotë Berisha.

Sali Berisha elaboroi me detaje pse zgjedhjet, në analizën e tij, nuk ishin të ndershme, ‎por ndarja e pafavorshme territoriale dhe kandidimi i të inkriminuarve nën mbrojtjen e Edi Ramës, siç thotë ai, nuk e pengojnë ish-kryeministrin të pohojë për herë të parë rezultatin elektoral të Partisë Demokratike dhe bashkë me të, të përmbledhe në më pak se 1 minutë analizën e tij politike postelektorale për opozitën, Edi Ramën dhe Ilir Metën.

“Zgjedhjet natyrisht i humbi PD, por i plagosur rëndë nga zgjedhjet doli Edi Rama, e ndoshta në mënyrë të pariparueshme. Uroj që dhe PD-ja të bëjë një analizë të gjithanshme që të shkojë drejt fitores në 2017. Edi Rama është plagosur rëndë. I erdhi nga s’e priti. Këto zgjedhje treguan se nuk kemi të bëjmë me një martesë, por me prostitucion politik. Nuk i besojnë njëri-tjetrit, por politikisht prostituojnë. Le të vazhdojnë”, shprehet Berisha.

Në këtë panoramë të komplikuar politike, ish-kryeministri nuk kurseu as ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin për një deklaratë të disa ditëve më parë, që sipas Sali Berishës, dukej sikur nxiste mazhorancën të vazhdonte reformën në drejtësi e vetme, pa opozitën.

“Ideja se nuk duhet marrëveshja dhe aq më tepër kur bëhet kjo nga një ambasadore që mendon se është dhe guvernatore, kjo është e papranueshme, e rëndë dhe nuk i shërben as klimës, as reformës, as mirëkuptimit. Nëse del me teorinë se nuk duhet marrëveshje dhe konsensus, po çfarë duhet konfrontim apo Luan Omari, autori i Kushtetutës famëkeqe të 74-ës si kryekëshilltar?”, deklaron ish-kryeministri.

“Ekonomia është në pikiatë”

Por në vëmendjen e Sali Berishës nuk ishte vetëm politika. Sipas ish-kryeministrit largimi i FMN-se pa firmosur një marrëveshje për shhkak të mosmbledhjes së taksave nga qeveria, është një sinjal i keq për vendin.

“Unë i bëj thirrje Fondit të rishqyrtojë qëndrimin e tij. Kurrë ndonjëherë në këtë mënyrë zhvillimi në Shqipëri nuk ka ndaluar. Keni dëgjuar gjithçka prej Edi Ramës, por jo zhvillim”, thotë Berishës.

Për ish-kryeministrin aksioni antievazion fiskal, i paralajmëruar të nisë në shtator, është një masë e rrezikshme, që nuk do të godasë evazorët e mëdhenj, klientë të qeverisë.

“Me aksion vetëm rrënon. I kërkoj Fondit ta ndjekë me interes këtë operacion, sepse ky do të jetë operacioni i goditjes përfundimtare të ekonomisë”, paralajmëron Berisha.

Top Channel