Rimbursimi i TVSH-së në bujqësi, ministritë përplasen për paketën nxitëse

03/08/2015 00:00

Paketa nxitëse që maxhoranca miratoi në fund të vitit të kaluar ndryshoi zinxhirin e TVSH-së në tregtimin e produkteve bujqësore, duke e njohur këtë taksë në 20 për qind, nga 6 për qind që njihej më parë.

Kjo lëvizje korrigjonte një ngërç që ishte krijuar në tregun vendas, ku tregtarëve u njihej vetëm 6 për qind TVSH në blerje, ndërkohë që detyroheshin të paguanin 20 për qind në shitje.

Por njehësimi tani ka krijuar një ngërç të ri. Atë nëse do të njihet apo jo rimbursimi prej 20 për qind i TVSH-së në eksport? Kjo çështje është shndërruar në thelbin e përplasjes mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave.

Përmes një shkrese që mban datën 4 qershor, plot 7 muaj pas miratimit të paketës, Ministria e Bujqësisë i drejtohet asaj të Financave duke i bërë të qartë se në paketë nuk është parashikuar rimbursimi i TVSH-së për eksportet bujqësore, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje.

Sipas dikasterit të Bujqësisë, nëse tatimet do të rimbursojnë 20% të vlerës së eksporteve bujqësore, ky do të ishte efektivisht subvencionim i pastër, jashtë frymës së pakesës së bujqësisë dhe jo në konfirmitet me ligjin. Paralelisht, vëren Ministria e Bujqësisë, fatura për buxhetin do të ishte shumë e lartë, dhjetëra milionë euro.

Por, pas këtij intepretimi Ministria e Financave përgjigjet se “e drejta e rimbursimit të TVSH-së në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakord me propozimin”.

Në pamje të parë, ky konflikt duket gati paradoksal, ku Ministria e Financave, e cila mbron interesat e buxhetit, kërkon të rimbursojë eksportuesit, ndërsa ajo e Bujqësisë, që përfaqëson fermerët, në këtë rast mbron buxhetin.

Megjithatë, përtej këtij fakti, ai nxjerr në pah një tjetër problem të hershëm në bujqësi: kaosin e skemave nxitëse që qeveritë kanë përdorur mbi këtë sektor, shpesh të paqarta edhe për vetë ato, veçanërisht në rrafshin fiskal.

Top Channel