Rezoluta e Vetëvendosjes për krimet e Serbisë nuk mbështetet nga shumica

03/08/2015 00:00

Në të njëjtën ditë, kur Kuvendi i Kosovës do të votonte për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së, opozita dorëzoi një rezolutë, që dënon krimet e Serbisë në Kosovë.

Por, kërkesa për ta futur atë si pikë të parë të rendit të ditës, para votimit për Gjykatën Speciale, nuk mori mbështetjen e deputetëve të mazhorancës. Të paktën 55 deputetë nga PDK dhe LDK i thanë “jo” kësaj rezolute.

“Opozita ka dorëzuar në administratën e Kuvendit, sipas afateve kohore, një rezolutë, që padrejtësisht është mohuar në Kryesi mbledhjen e kaluar. E sollëm këtu përpara jush, për shqyrtim në këtë seancë. Ne kemi si kërkesë, që kjo çështje të futet si pikë e parë e rendit të ditës, sepse kjo rezolutë dënon gjenocidin dhe krimet masive, që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë viteve ’98-’99”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Megjithatë, nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 42 deputetë votuan “pro”, numër ky i pamjaftueshëm, që rezoluta kundër Serbisë të bëhej pjesë e rendit të ditës.

Mosvotimi i kësaj çështjeje nisi edhe debatin e ashpër, të shoqëruar me akuza e kundërakuza mes dy palëve. Kështu, deputetët e opozitës kritikuan ata të shumicës se, po dënojnë me votën e tyre luftën e UÇK-së, por jo edhe gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët.

Top Channel