Itali, kreu i mafias siçiliane komunikonte me “kodin e deleve”

03/08/2015 00:00

Autoritetet antimafia në Itali ngushtuan rrethin ndaj Matteo Messina Denaro, një prej kriminelëve më të kërkuar në vend, i cili është një prej më të kërkuarve që prej vitit 1993.

11 persona bashkëpunëtorë të Messina-s u arrestuan në një operacion të koordinuar të policisë italiane në ishullin e Siçilisë. Tre prej të arrestuarve janë mbi 70 vjeç.

Policia italiane thotë se ndiqte prej kohësh grupin dhe kishte instaluar kamera vëzhgimi në pemët e një ferme, ku dyshohej se kryhej aktivitet mafioz.

Si provë materiale hetuesit kanë sekuestruar edhe disa letra udhëzuese, që besohet se janë shkruar prej Messina-s për anëtarët e grupit mafioz. Shkrimi është i koduar dhe në të nuk përmendet asnjëherë fjala drogë.

Droga është zëvendësuar në fjalorin e mafiozëve me fjalën dele. “Delet duhen shpërndarë”, “Delet janë gati”, “Delet janë bërë për të qethur” dhe “Bari për delet është gati”.

Këto janë fjalët kyçe të përdorura nga grupi mafioz, ku sigurisht fjala “dele” nuk është në kuptimin e parë të saj. Hetuesit italianë besojnë se kur përdorej fraza e parë, kokaina duhej shpërndarë, në të dytën kokaina ishte gati për shpërndarje, ndërsa dy frazat e tjera besohet se janë të lidhura me kultivimin dhe shitjen e hashashit.

Matteo Messina Denaro është në kërkim që prej vitit 1993. Në atë kohë besohej si pasaardhësi më gjakatar i “Kumbarëve” të mafias siçiliane “Cosa Nostra”. Në një deklaratë të tij, ai ka thënë se mund të mbushte një varrezë të tërë me viktimat e veta.

Operacioni antimafia është përshëndetur nga kryeministri italian, Renzi. “Italia është e bashkuar kundër krimit të organizuar”, shkruan ai në Facebook.

Top Channel