F1, e ardhmja e Renault përcaktohet nga shtatori 2016

03/08/2015 00:00

Prodhuesi francez i makinave, Renault, nuk do të marrë asnjë vendim në lidhje me të ardhmen e tij në Formula 1, të paktën deri në shtator të vitit të ardhshëm. Edhe pse fati i francezëve mbetet në udhëkryq, përgjegjësi kryesor i kompanisë, Cyril Abiteboul, ka qartësuar se nuk do të ketë veprime të nxituara në lidhje me këtë çështje.

“Jemi duke punuar mbi shumë gjëra njëkohësisht, përfshi edhe përpjekjen për ta bërë motorin tonë më kompetitiv. Do të vlerësojmë të gjitha opsionet e mundshme, sepse duam të jemi të sigurt për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm, që do të reflektojë një strategji afatgjatë”, tha Abiteboul.

Zgjedhjet janë tre, përkatësisht të vazhdojnë si furnizues motorësh, të rikthehen si konstruktorë të pavarur, ose të braktistin sportin më të ndjekur të automobilizmit, Formula 1.

“Momentalisht kemi një kontratë me Red Bullin dhe Toro Rosson, të cilën do ta respektojmë deri në përfundimin e saj, në vitin 2016. Janë skuadra fantastike dhe shumë kërkuese”, vijon më tej përgjegjësi i kompanisë, i cili siguron gjithashtu se “Renault do të mbetet një protagoniste e madhe në botën e automobilizmit”.

Top Channel