Skënderbeu-Milsami, policia prezanton planin e masave

03/08/2015 00:00

Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një seri masash organizative, me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu-Milsami, që do të luhet më 5 gusht në “Elbasan Arena”.

Përmes një komunikate për shtyp, Drejtoria lokale e Policisë ka bërë me dije bllokimin e disa segmenteve rrugore. Konkretisht do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri te kryqëzimi “1 Maji”; aksi nga Bashkia deri në dalje të Unazës; nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës.

Ndërkohë, nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit të Sportit dhe as para stadiumit. Gjithashtu, bëhet me dije se, hyrja e tifozëve do të jetë 2 orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve.

Për garantimin e sigurisë, gjatë ndeshjes do të angazhohen 64 efektivë të FNSH-së, 30 agjentë të Qarkullimit Rrugor, 136 nga seksioni i Rendit Publik, 56 agjentë krimesh dhe 50 punonjës nga sektorë të tjerë.

E ndërsa njofton se nuk do të lejohet marrja e femijëve të mitur pa u pajisur me biletë, Drejtoria e Policisë së Elbasanit u bën thirrje tifozëve, që të mos marrin me vete sende të forta, shishe dhe fishekzjarre, pasi në rast të kundërt nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.

Në kuadër të masave, nga ora 18 deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të mbahen të mbyllura. Policia kërkon gjithashtu mirëkuptimin e qytetarëve për të minimizuar lëvizjen e tyre me automjete, çka – sipas saj, – do të sillte një ndihmesë të madhe.

Top Channel