Siri, avioni ushtarak bombardon e më pas rrëzohet. 27 viktima mes civilëve

03/08/2015 00:00

Të paktën 27 viktima dhe dhjetëra të tjerë të plagosur janë shkaktuar pas rrëzimit të një avioni ushtarak sirian në një treg të mbipopulluar në qytetin veriperëndimor të Arihas, gjatë së hënës.

Shumica e viktimave janë civilë, trupat e të cilëve gjenden ende në zonë, rajonin e Idlibit, i cili ra nën kontrollin e një koalicioni të kryengritësve islamikë gjatë majit, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, që ndjek zhvillimet e dhunshme anembanë Sirisë.

Dhjetëra të tjerë raportohen të plagosur, thonë vëzhgues dhe dëshmitarë në vendngjarje, ndërkohë që nga ushtria siriane nuk ka ende një reagim zyrtar.

Avioni ushtarak kishte lëshuar një bombë në zemër të qytetit, në rrugën e sheshit qendror, ku tregtarët dalin që në orët e para të mëngjesit, përpara se të rrëzohej në mes të tregut, thanë dëshmitarë për “Reuters”.

“Avioni hodhi një bombë në rrugën kryesore Bazaar nga një lartësi e ulët, vetëm pak sekonda përpara se të përplasej në tokë”, tha Ghazal Abdullah, një banor që shpëtoi fatmirësisht nga incidenti. Sipas Observatorit, avioni nuk është qëlluar me synim rrëzimin e tij.

Luftimet janë intensifikuar së fundit në provincën rurale të Idlibit, ku përballen forcat qeveritare dhe grupe kryengritësish, si “Jaish al Fateh” (ose Ushtria e pushtimit), që përfshin gjithashtu edhe degën e Al-Kaedës në Siri, “Fronti al-Nusra”.

Rënia e Arihas bëri që kryengritësit të merrnin kontrollin e thuajse të gjithë provincës së Idlibit, që ndan kufijtë me Turqinë dhe me rajonin fqinj të Latakias, apo të konsideruarën “zemra” e sektit alauit të Presidentit Bashar al-Assad, në brigjet e Mesdheut.

Top Channel