Duke thyer një tabu, palestinezët e Jeruzalemit kërkojnë shtetësinë izraelite

03/08/2015 00:00

“Deklaroj se, do të jem një qytetar besnik i shtetit të Izraelit” shkruhet në frazën e betimit, që të gjithë shtetasit e natyralizuar izraelitë duhet ta thonë me zë. Por, gjithnjë e më shumë, këto fjalë po shqiptohen edhe nga palestinezët.

Në Jeruzalemin Lindor, qytet të pushtuar prej Izraelit nga Jordania gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 e më vonë të aneksuar, lëvizje kjo që nuk është njohur ndërkombëtarisht, çështjet e identitetit palestinez janë shtresëzuar me kompleksitete të shumta.

E ndërsa izraelitët e njohin lindjen e qytetit si pjesë të Izraelit, rreth 300 mijë palestinezë të përllogaritur që jetojnë atje nuk e kanë një konsideratë të tillë. Ata nuk janë shtetas izraelitë, por zotërojnë kartat blu të identitetit të lëshuara prej Izraelit, gjë që u mundëson atyre statusin e “banorit të përhershëm”.

Edhe pse ata mund ta kërkojnë shtetësinë nëse dëshirojnë, shumica e tyre e refuzojnë diçka të tillë, ndoshta sepse nuk duan të heqin dorë nga historia e tyre, apo nuk duan të konsiderohen si të shitur ndaj pushtimit 48-vjeçar izraelit.

E megjithatë, gjatë dekadës së kaluar, një numër gjithnjë e në rritje i palestinezëve të Jeruzalemit Lindor kanë kaluar përmes procesit të gjatë të të kthyerit në shtetas izraelitë, bëjnë të ditur studiues dhe avokatë të shumtë.

Pjesërisht, ky veprim reflekton humbjen e shpresës për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, por ai reflekton gjithashtu edhe pragmatizmin, ose pranimin se, duke pasur shtetësinë izraelite, ata do ta kenë më të lehtë të gjejnë apo ndryshojnë punë, të blejnë apo të ndryshojnë vendbanim, të udhëtojnë jashtë ose të sigurojnë akses në disa shërbime të rëndësishme jetike.

Zyrtarët izraelitë janë ngurrues në konfirmimin e shifrave, por të dhënat e siguruara nga Instituti i Jeruzalemit për Studimet Izraelite tregojnë për një rritje të madhe gjatë dekadës së fundit; nga 114 aplikime në vitin 2003 deri në 800-1000 aplikime në vit në kohët e sotme, gjysma e të cilave rezultojnë të suksesshme. E për të pasur sukses? Ndaj qindra vetëve janë bërë hetime, përpara se të nisë procesi formal i aplikimit.

Shifrat e Ministrisë së Brendshme izraelite, të siguruara nga “Reuters”, tregojnë se gjatë periudhës 2012-2013 ka pasur 1434 aplikime, prej të cilave 189 janë miratuar, 1061 janë ende në proces, kurse 169 janë refuzuar.

Palestinezët që kanë aplikuar për shtetësinë izraelite nuk dëshirojnë të flasin rreth kësaj teme. Kushti i të qenit besnik ndaj Izraelit nuk është diçka e lehtë për ta në momentin e nënshkrimit për t’u bërë një shtetas i natyralizuar izraelit, pasi kjo konsiderohet ende si një tabu, për shkak se sipas tyre nënkupton “bashkimin me armikun”.

“U ndieva keq, shumë keq”, thotë një mësuese palestineze 46-vjeçare, e cila i është nënshtruar këtij betimi rreth një viti më parë. Pavarësisht rezervave, ajo e pranon se ishte gjëja më e mirë për qëndrueshmërinë dhe perspektivën e karrierës së saj. “Duam vetëm të jetojmë jetën që na ka mbetur”, thotë ajo. “Në fund të fundit, politika nuk të çon askund”.

Top Channel