Amnesty akuzon policinë e Brazilit: Përgjegjëse për 1.500 vrasje

03/08/2015 00:00

Amnesty International ka bërë përgjegjëse policinë ushtarake të Brazilit për vdekjen e mbi 1.500 personave në qytetin Rio de Zhaneiro.

Grupi i të drejtave të njeriut deklaron se ka prova që tregojnë se vrasjet e kryera nga policia kanë qenë në shumë raste ilegale, me oficerët që kanë hapur zjarr edhe kur të dyshuarit ishin dorëzuar, ose kur ishin të plagosur.

Për momentin nga policia ushtarake braziliane nuk ka pasur një reagim, por sindikatat e policisë kanë deklaruar më parë se edhe numri i agjentëve të vrarë është po ashtu i lartë.

Vetëm në Rio de Zhaneiro, sipas të dhënave të sindikatës Sindpol, në vitin 2014 u vranë 114 agjentë policie.

Në të kaluarën, policia braziliane ka mohuar akuzat se “ka qëlluar për qejf”, duke nënvizuar se ka vepruar gjithmonë kur është gjendur nën breshëri zjarri nga bandat e drogës në lagjet e varfëra të qytetit.

Në raportin e saj, që publikohet një vit para se në Rio të zhvillohen Lojrat Olimpike 2016, AI shkruan se forcat e policisë po asgjësojnë një pjesë dërrmuese të gjeneratës së varfër, të përbërë kryesisht nga të rinj dhe persona me ngjyrë.

Sipas statistikave të organizatës, rreth 16 për qind të totalit të vrasjeve të verifikuara në qytet në 5 vitet e fundit kanë ndodhur në duart e agjentëve që kanë qenë në detyrë.

Në vitin 2012, viktimat e mbi 50 për qind të vrasjeve kanë qenë të moshave nga 15 deri në 29 vjeç, 77 për qind e të cilëve kanë qenë me ngjyrë, tregojnë statistikat e AI.

Top Channel