SHBA-të do të mbrojnë nga ajri rebelët sirianë, qoftë edhe nga Assadi

03/08/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të lejojnë sulmet ajrore, në mbrojtje të rebelëve sirianë të trajnuar nga ushtria amerikane përballë rreziqeve të agresorëve armiq, edhe nëse një i tillë do të mund të vijë nga forcat besnike të Presidentit sirian Bashar al-Assad. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë që prej së dielës.

Vendimi i marrë nga Presidenti Barack Obama, e që mund të thellojë rolin e Amerikës në konfliktin sirian, synon të mbrojë një grup ende të ri luftëtarësh sirianë të armatosur dhe të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik dhe jo forcat besnike të Assadit.

Por, në luftën e çrregullt civile të Sirisë, Shteti Islamik është vetëm një prej kërcënimeve që u kanosen rekrutëve amerikanë. Grupi i parë i forcave të trajnuara nga SHBA-të është dërguar në Sirinë veriore dhe gjatë së premtes ka rënë prè e një sulmi të militantëve të tjerë të paidentifikuar, duke shkaktuar të parin sulm ajror nga SHBA-të në mbështetje të tyre, të paktën të njohur deri më tani.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushtet e anonimitetit gjatë konfirmimit të detajeve të këtij vendimi, i cili fillimisht u raportua nga “Ëall Street Journal”, bënë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin sulme ajrore në mbështetje të avancimeve të rekrutëve të tyre kundrejt objektivave të Shtetit Islamik. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë edhe mbështetje me natyrë mbrojtëse, në mënyrë që të zmbrapset ndonjë agresor i mundshëm.

SHBA-të e kanë hedhur poshtë vazhdimisht idenë se forcat e Assadit, – të cilat nuk kanë vepruar aspak në favor të bombardimeve të koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri, – do ta kthejnë vëmendjen e tyre ndaj rebelëve sirianë të mbështetur nga SHBA-të. Por, amerikanët nuk e përjashtojnë si mundësi, qoftë edhe si një përplasje e paqëllimshme.

Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë refuzuar të diskutojnë mbi këtë vendim, pasi ndjekin rregullin e mosmarrjes parasysh apo të konfirmuarit të komenteve të bëra nga zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

Top Channel