Doha pret sekretarin Kerry; vendet e Gjirit: Duam bashkëpunim me Iranin, jo ndërhyrje

03/08/2015 00:00

Marrëveshja bërthamore me Iranin duhet të sjellë qëndrueshmëri dhe “fqinjësi të mirë” e jo ndërhyrje të Republikës Islamike. Kjo është porosia e shteteve të Gjirit Arabik drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë së hënës, teksa nisën bisedimet shumëpalëshe në lidhje me akordin historik të Iranit me fuqitë botërore.

Ministri i Jashtëm i Katarit, Khalid al-Attiyah, duke mirëpritur Kerryn në Katar për bisedime me 6 vendet e Këshillit për Bashkëpunimin në Gjirin Arabik (GCC), tha se aleanca kërkon që t’ia kursejë rajonit “rreziqet dhe kërcënimet e armëve bërthamore”.

Kjo duhet bërë duke autorizuar përdorimin e teknologjisë bërthamore për qëllime paqësore, në respektim të plotë të ligjeve ndërkombëtare, – tha më tej ai, – teksa fliste si përfaqësues i vendit mikpritës dhe organizator të takimit.

“Do të shohim përpara me shpresën e një marrëveshjeje bërthamore, që do të çojë në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ne theksojmë edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit me Iranin, bazuar mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mosndërhyrjes në marrëdhëniet e brendshme dhe zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore”, tha al-Attiyah.

Shumica e shteteve të Gjirit Arabik janë të shqetësuara se akordi i 14 korrikut mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe fuqitë e tjera të mëdha të botës, do të shpejtojë uljen e tensioneve mes Teheranit e Uashingtonit, por do të inkurajojë Republikën Islamike të mbështesë aleatët ushtarakë në rajon.

Muajin e kaluar, 6 fuqitë më të mëdha të botës ranë dakord t’i heqin sanksionet ndaj Iranit në këmbim të kufizimeve të programit të tij bërthamor, për të cilin Perëndimi dyshon se synonte zhvillimin e bombës bërthamore, por që Teherani e mohonte duke thënë se bëhej për arsye paqësore e për përdorim energjie.

Duke folur nga Egjipti gjatë së dielës, Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar Iranin si shtetin kryesor në botë sponsorizues të terrorizmit, por ishte pikërisht kjo arsyeja përse ishte aq e rëndësishme të siguroheshin që Teherani të mos shtinte në duar armët bërthamore.

“Nuk ka absolutisht asnjë dyshim se, nëse plani i Vjenës do të implementohet tërësisht, kjo do ta bënte Egjiptin por edhe vendet e tjera të rajonit, më të sigurta nga ç’do të ishin në të kundërt”, tha kryediplomati amerikan. Kerry shtoi se ai vetë do të diskutonte mënyrat sesi të sigurohet në të ardhmen një siguri më e madhe e rajonit, sapo të mbërrinte në Doha.

Në kryeqytetin e Katarit, Kerry pritet të takojë anëtarët e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Arabik, ku bëjnë pjesë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Kuvajti, Omani si dhe Katari.

Top Channel