Përmbytjet që u shkaktuan nga reshjet e shiut të hënën pasdite në Tetovë dhe fshatrat përreth, kanë shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të shumta materiale.

Deri në këto momente zyrtarisht janë konfirmuar dy viktima nga vërshimet. Bëhet fjalë për dy të mitur, një 7-vjeçar nga Reçica dhe tjetri një 14-vjeçar nga Shipkovica.

Jo zyrtarisht mediat raportojnë se ka shkuar në dhjetë numri i viktimave në Shipkovicë të Tetovës, si rezultat i shembjes së një shpati mbi fshat.

Mediat raportojnë për numër më të madh të viktimave, por gjithmonë duke theksuar se bëhet fjalë për të dhëna të pakonfirmuara zyrtrisht.
 
Deri në ora 22.00 të së hënës, në Spitalin e Tetovës kishin mbërritur 5 persona të lënduar nga Shipkovica. Njëri prej tyre me lëndime të rënda u dërgua në Spitalin e Shkupit.

Siç raportojnë mediat lokale nga vendi i ngjarjes, në Shipkovicë ujërat kanë marrë me vetë shtëpi, vetura, kafshë etj. Banorët e këtij fshati ende nuk mund ta konfirmojnë nëse ka të zhdukur.

Më të goditura janë disa lagje të qytetit, fshati Reçicë dhe rajoni i Malësisë së Tetovës.

Uji ka përmbytur katet e para të shtëpive, ndërsa me vete ka bartur edhe gurë, drunj dhe sende të tjera të forta, që kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen.

Shumë qytetarë kërkojnë përmes mediave që institucionet kompetente të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve dhe çlirimin e banorëve të rrethuar nga vërshimet.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel