Gjykata Speciale, deputetët miratojnë në parim projektin

04/08/2015 00:00

Ndryshimet kushtetuese që Kuvendi i Kosovës i miratoi me dy të tretat e votave, i ka hapur rrugë qeverisë që me procedura të përshpejtuara të miratojë më në fund dy projektligjet e nevojshme për të përmbyllur pakon ligjore për funksionimin e Gjykatës Speciale.

Menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, kabineti qeveritar ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku ka miratuar projektligjin për funksionalizimin e Gjykatës Speciale dhe projektligjin për mbulimin e shpenzimeve për personat që do të akuzohen nga Specialja.
 
Projektligji i dytë, i cili parasheh që qeveria e Kosovës të mbulojë gjitha shpenzimet e avokatëve, por edhe shpenzimet e udhëtimeve të të afërmve të personave të akuzuar për krimet e luftës së UÇK-së nga Gjykata Speciale, ngjalli reagime nga përfaqësuesit e Listës Serbe në qeveri.
 
Derisa deputetët e listës serbe votuan krijimin e Gjykatës Speciale, përfaqësuesi i tyre në qeveri, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç u shpreh kundër mbulimit të shpenzimeve për personat që pritet të akuzohen, por ai mori menjëherë përgjigje.

“Në çfarë mënyre do të vërtetohet se cili i akuzuar do të ketë të drejtë që të ketë përkrahje juridike pa pagesë dhe kush vendos se kush nuk ka të drejtë. Mendoj se dhënia e ndihmës paraprakisht është e gabuar pasi mund të ndodhë që ndonjë i akuzuar të dënohet, kështu që Lista Serbe as këtu e as në seancë nuk e përkrah këtë projektligj”, tha Stojhanoviç.
 
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, u përgjigj: “Ne jetojmë në një vend ku prezumimi i pafajësisë është kategori kushtetuese dhe kategori me standard ndërkombëtar. Do të thotë që çdo person është i pafajshëm derisa me aktgjykim të formës së prerë të vërtetohet e kundërta. Pra, ne hyjmë me propozimin që e mbrojmë atë parim”.
 
Pavarësisht shpjegimeve që iu dhanë, përfaqësuesi serb e votoi kundër projektligjin që mbulon shpenzimet e pjesëtarëve të UÇK-së për mbrojtje në Gjykatën Speciale.
 
Pas miratimit në qeveri, kryeministri Isa Mustafa kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila me vendim të Kryesisë u caktua për në ora 21:00, ku me shumicë të thjeshtë të votave deputetët e koalicionit miratuan edhe dy projektligjet e proceduara nga qeveria. Në këtë seancë nuk mori pjesë fare opozita.
 
Pas miratimit të Gjykatës Speciale, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova do të dëmtohet rëndë: “Siç e patë, u votua në parlament neni ose amendamenti për ndryshimet kushtetuese i cili lidhet me dhomat e posaçme. Shumëçka është e çuditshme rreth kësaj teme. Riprocedimi është i çuditshëm, është diçka që nuk ka ndodhur ndonjëherë, edhe me këtë votim mendoj që ka ndodhur gabim i klasës politike, gabim i cili do t’ia vështirësojë rrugën Kosovës edhe në planin nacional edhe në planin e jashtëm. Pra, do të sjellë shumë sfida për Kosovën në periudhën që vjen”.
 
Ganimete Musliu, deputete PDK-së, u shpreh: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime, UÇK-ja është meritorja për lirinë që ne gëzojmë sot dhe është thjesht shpëtimtarja e popullit të Republikës së Kosovës. Edhe atëherë edhe tani besoj dhe jam shumë e bindur se akuzat e raportit të Dick Marty-t janë akuza të pabaza, prandaj i kam thënë jo kësaj gjykate dhe do ta mbroj qëndrimin tim sepse nuk kisha fuqi më të madhe që të bëj diçka në ndryshimin e realitetit që ndodhi në Kuvendin e Kosovës”.
 
Me miratimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës tani i lejohet Bashkimit Evropian që të vazhdojë me procedurat teknike për operacionalizimin e Gjykatës Speciale.

Top Channel